Panorama Sport (Albania)

“Vllaznia B mund të shkrihet, akademia ka strukturë të fryrë”

-

Administra­tori i Vllaznisë, Suad Lici, zbuloi dje gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak se struktura e akademisë është shumë e fryrë dhe ka nevojë të ketë ndryshime. Nga ana tjetër, Lici bëri të ditur se ekipi Vllaznia B, që militon në Kategorinë e Dytë këtë sezon, mund të shkrihet, pasi FSHF ka në plan krijimin e një kampionati U-21. Për administra­torin kuqeblu, është më në interes të klubit që Vllaznia të ketë një skuadër U-21, në mënyrë që lojtarët të cilët kalojnë moshën për të qenë pjesë e U-19, të kenë një mundësi tjetër në rast se nuk bëhen pjesë e ekipit të parë menjëherë. "Për mendimin tim akademia Vllaznia është shumë e fryrë në strukturë, por kjo është vendosur nga Këshilli Bashkiak i mëparshëm. Unë e kam shprehur këtë me kohë, sepse administra­ta e akademisë është e fryrë dhe nuk ka nevojë të jenë nga dy-tre drejtues. Kuota që paguan një lojtar i akademisë është 5 mijë lekë në muaj, por mos harroni se kemi energjinë elektrike dhe kemi në dispozicio­n vetëm një terren sportiv. Kemi shërbimin e transporti­t dhe të ardhurat e tyre mujore janë 5 milionë lekë në vit, kurse shpenzimet e tyre shkojnë gati dyfish. Prandaj, mendoj se administra­ta e akademisë është e fryrë, jo vetëm me nga dytre drejtues, por edhe nga dy trajnerë në ekipe. Këtë problem e kam gjetur të mbartur, sepse janë të miratuara në strukturë. Ata që thonë që ne kemi pasur bilanc pozitiv, e kanë gabim. Vitin e kaluar kam pajisur me bazë materiale ekipin e U-19 që mori pjesë në Champions dhe ky është realiteti. Nuk mund të rrisim tarifat, sepse nëse ju vendosni të bëjmë këtë, atëherë do të stërvitim vetëm 10 fëmijë. Sa i përket Vllaznisë B, besoj se do të shkojë drejt shkrirjes, sepse kam biseduar me FSHF-në dhe do të krijohet një kampionat U21. Për ne si klub është më në interes që të marrim pjesë në këtë kampionat dhe lojtarët të kenë mundësi të luajnë. Kam kërkuar mbështetje nga FSHF për këtë aspekt edhe në mbledhjen e fundit që u organizua", është shprehur dje administra­tori Lici.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania