Panorama Sport (Albania)

Plani për përmbysjen, Zidan i jep Realit një javë pushim

Hazard mund të kthehet në superformë, mungon Ramos

-

Pas arritjes së madhe për të fituar titullin kampion në Spanjë, Reali i Madridit nuk ka ndërmend që të kënaqet apo ta konsideroj­ë sezonin të përfunduar. Zinedin Zidan dhe të besuarit e tij janë duke menduar që tani për sfidën në Ligën e Kampioneve kundër Mançester Sitit, e cila do të luhet më 7 gusht. Në duelin e parë “Galaktikët” humbën 1-2 në Spanjë, por do të tentojnë që ta përmbysin dhe të vazhdojnë ende në kompeticio­nin e rëndësishë­m në Europë. Pas stërvitjes të shtunën dhe ndeshjes të së dielës, Zinedin Zidan i komunikoi skuadrës që do të kenë 7 ditë pushim për t’u qetësuar dhe pastaj do të rikthehen sërish nën urdhrat e tij më 27 korrik për të menduar për Champions-in. Do të rinisin një mision shumë të vështirë, por jo të pamundur. Humbja 1-2 është delikate për t’u përmbysur dhe për më tepër në ndeshjen e kthimit do të mungojë kapiteni Serxho Ramos, i cili u ndëshkua me karton të kuq.

ECURIA - Pas izolimit, Mançester Siti ka fituar 7 dhe ka humbur 3 ndeshje duke lënë gjithmonë vend për besim nga ana e madrilenëv­e. Skuadra e Pep Guardiolës ka shënuar 2.7 gola për ndeshje dhe ka pësuar 0.6 gola për ndeshje. Në sfidën e fundit humbën kundër Arsenalit në Kupë dhe do të kërkojnë ringritjen, por Pep Guardiola nuk do të ketë të gatshëm për këtë duel Serxho Agueron, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar që prej 22 qershorit. Optimizmi madrilen mund të ndihmohet nga kjo mungesë, e cila mund të shërbejë për të balancuar mungesën e Ramosit. Një tjetër armë në favor të Zidanit është Eden Hazard, i cili dëshiron që të rikthehet sa më në formë për ndeshjen kundër Sitit më 7 gusht. Fakti që nuk do të ketë tifozë mund të jetë një tjetër arsye në favor të Realit, por gjithçka është e hapur.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania