Panorama Sport (Albania)

Çelhaka shpall zyrtarisht "divorcin": Iku koha për aventura

-

Nuk ka kthim pas për Alked Çelhakën. Mesfushori me tipare sulmuese e quan të mbyllur këtu aventurën me Besën. I larguar fizikisht nga ekipi që pas 31 majit (bashkë me një pjesë tjetër titullar, për historinë e famshme të rrogave të padhëna), ai ka vendosur që ta shpallë njëherë e mirë "divorcin" me verdhezinj­të. Lojtari që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te kavajasit dhe shënoi edhe 7 gola në 18 ndeshje të luajtura në fushë, në një deklaratë të dhënë për "Panorama Sport" sqaron arsyet që e çuan në këtë pikë. "Nuk kam dëshirë të merrem me fjalë dhe të them ika prej kësaj apo asaj situate. Është fare e thjeshtë. Mua si edhe të tjerë futbollist­ëve na ka skaduar kontrata me Besën që në 31 maj të këtij viti. Jam munduar të kontribuoj për Besën dhe për qytetin tim. Për shumë arsye, të cilat i ka radhitur edhe vetë presidenti Nexhat Bizhdili në intervistë­n e tij të fundit, nuk mundëm të rikthehemi në Kategorinë Superiore. Karriera ime ka nisur që 18 vjeç me Besën në elitë e pas një përvoje te Tirana, u riktheva me dëshirën e madhe te Besa. Menjëherë pas 31 majit, kur dhe u mor vesh se unë dhe disa futbollist­ë me përvojë bojkotuam vijimin e kampionati­t, nisën të më vijnë sinjale nga disa klube të së Parës dhe Superiores. Me Besën e kam mbyllur, por stërvitjen nuk e kam ndërprerë për asnjë ditë. Përtej përvojës, jam i vetëdijshë­m që kërkohet edhe gjendja fizike. Deri në këto momente nuk i kam dhënë OK-in asnjë oferte që më ka ardhur, por do t'i gjykoj me qetësi. Nuk kam moshë për aventura. Në ditët në vijim besoj se do ta bëj publik dhe destinacio­nin tim të ri", ka përfunduar Alked Çelhaka, ish-kapiteni i Besës. FERIZ FERIZAJ

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania