Panorama Sport (Albania)

Dëmtime në masë, Luftëtari kërkon ta mbyllë me... pikë

- TOMOR SHEHU

Luftëtari luan nesër 90 minutat e fundit në Kategorinë Superiore, pasi duke filluar nga sezoni i ri, do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë. Megjithatë, në ndeshjen ndaj Kukësit, gjirokastr­itët duan të lënë pas zhgënjimin e nëntë humbjeve radhazi në kampionat, që prej rifillimit të garës pas ndërprerje­s. Të besuarit e trajnerit Neritan Novi startuan dje në orën 18:30 përgatitje­t për sfidën me Kukësin, ku shpresojnë që ta mbyllin me pikë në Gjirokastë­r këtë kampionat zhgënjyes. Në seancën e djeshme binin në sy mungesat e Erald Hysenit, Enes Isufit dhe Amer Dukës. "Panorama Sport" mësoi se mesfushori Hyseni ka probleme në rrëzat e kofshëve dhe ka nisur terapinë prej disa ditësh, teksa ashtu si në Ballsh, pritet të mungojë edhe në këtë takim të fundit. Nga ana tjetër, shkodrani Isufi e ka mbyllur sezonin pas dëmtimit në klavikulë gjatë ndeshjes me Skënderbeu­n. Ndërsa një tjetër mungesë për Luftëtarin do të jetë qendërmbro­jtësi durrsak, Duka, i cili u dëmtua në transfertë­n e Bylisit, duke pësuar tërheqje muskulore. Në ndryshim me seancat e mëparshme, trajneri Novi ka zgjedhur fushën e stadiumit "Gjirokastr­a" si terrenin e duhur për t'u përgatitur sa më mirë. Sikundër ndodh zakonisht pas çdo ndeshjeje, Novi është ndalur te humbja me Bylisin, duke kompliment­uar lojtarët për lojën. "Të mbyllim me rezultat pozitiv ndeshjen me Kukësin për të harruar humbjen e pamerituar në Ballsh dhe këtë sezon. E patë vetë në ndeshjen ndaj Bylisit sa e rëndësishm­e është disiplina taktike. Këtë gjë kërkoj nga ju edhe ndaj Kukësit. Ta mbyllim mirë kampionati­n", mësohet se u ka thënë Novi të tijve para seancës së të hënës pasdite. Ndërkohë, në dy ndeshjet e fundit, për trajnerin bluzi ka qenë i gatshëm edhe kapiteni Aurel Demo, i cili e ka lënë pas dëmtimin në gju. Mbrojtësi mori minuta ndaj Skënderbeu­t, ndërsa në Ballsh nuk u aktivizua. Gjasat janë që të rikthehet titullar pikërisht në sfidën që mbyll sezonin.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania