Panorama Sport (Albania)

Bajerni, 70.6 milionë euro nga TV

-

Me 70.64 milionë euro të fituara, Bajerni i Mynihut renditet në vendin e parë edhe për sezonin e ri për sa u përket të ardhurave nga e drejta televizive. Sipas një renditjeje të kryer nga "Kicker", kampionët e Gjermanisë do të jenë edhe në sezonin e ri skuadra më e paguar. Pas tyre renditet Borusia e Dortmundit me 69.73 milionë euro. Leverkusen në vendin e tretë me 67.47 milionë euro dhe Lajpcig me 65.96 milionë euro. Skuadra që do të marrë më pak është ajo e Vyrzcburgu­t në Bundesligë­n e Parë. Të ardhur nga kategoria e dytë, kjo skuadër do të përfitojë, sipas "Kicker"-it, vetëm 7.49 milionë euro. Në total, 1.2 miliardë euro do të shpërndahe­n në 36 skuadrat e të dyja kategorive nga e drejta televizive. Këto shifra u janë komunikuar skuadrave më datë 16 korrik. Në sezonin që u mbyll në fund të qershorit shuma që u shpërnda nga TV ishte 1.4 miliardë plus 200 milionë euro nga e drejta e logos së Bundesligë­s. Kjo gjë nuk do të ndodhë në sezonin e ardhshëm. Pandemia ka bërë që kjo shifër të jetë më e ulët. Ndërkohë, vlera që "DfL"-ja ka fituar nga e drejta televizive, sponsorët dhe detaje të tjera ka qenë 1.6 miliardë euro në total. Fitimet dhe humbjet kanë qenë minimale edhe pse në një kohë krize globale. Gjithsesi, ashtu siç e tha drejtori ekzekutiv i Bajernit, Karl Hainc Rumenige, federata gjermane dhe liga kanë bërë një punë të madhe duke menaxhuar në mënyrën më të mirë këtë situatë. Duhet thënë se shikueshmë­ria në pjesën e dytë të sezonit ka qenë shumë e madhe. Kjo, pasi në stadium mungonin tifozët, të cilët ishin të detyruar të shihnin ndeshjen nga shtëpia. "Kicker" shkruan se nëse tifozët do të vazhdojnë të mungojnë edhe në sezonin e ri, shifrat e shikueshmë­risë mund të rriten, por të ardhurat për klubet nga e drejta televizive jo.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania