Panorama Sport (Albania)

Finalja me Pogradecin, Noka: Fitojmë

Kreu i klubit lezhjan flet me vlerësim për kundërshta­rin dhe gjithçka ia lë fushës

- PRENG GJIKOLA

Besëlidhja ka në dis pozicion edhe një ditë që ta përgatisë si duhet ndeshjen e “play off”-it me Pogradecin, ekipin e vendit të dytë në Grupin B të Kategorisë së Parë. Kjo ndeshje luhet të mërkurën në “Elbasan Arena” dhe fituesit i lejohet të ëndërrojë për ngjitjen në Superiore. Një ëndërr që kalon nga sfida me Vllazninë në stadiumin “Loro Boriçi”. Por, përpara është sfida e Elbasanit, një ndeshje e hapur, me shanse të barabarta kualifikim­i nga Besëlidhja dhe Pogradeci.

NOKA - Presidenti i ekipit lezhjan, Gjok Noka, në një prononcim për “Panorama Sport”, flet me nota pozitive për finalen e nesërme, duke pasur besim absolut te të tijtë. “Ndonëse kampionati­n e mbyllëm në vend të dytë, jam i kënaqur me skuadrën. Ia dolëm të realizonim gjysmën e objektivit. Tani jemi në hapat e fundit të përgatitje­ve për finalen e ‘play off’-it ndaj Pogradecit dhe jam mjaft i kënaqur me gjendjen e skuadrës. Pozitiv për ne është fakti se të gjithë futbollist­ët janë në gjendje shumë të mirë dhe trajneri Elvis Plori do të ketë mundësi të ndërtojë formacioni­n më të mirë. Gjatë gjithë kohës i kam qëndruar afër skuadrës në stërvitje dhe jam optimist. Mendoj se performanc­ën e saj në fushën stërvitore Besëlidhja do ta shpalosë edhe në ‘Elbasan Arena’ ndaj Pogradecit”, thekson Noka.

PARTIZANI SI FRYMËZIM

“Nuk duhet ta mbyllnim në vend të dytë, por disa gabime ndaj skuadrave që janë renditur në minigrupin e ‘play out’-it, madje ndonjëra ka rënë edhe nga kategoria, na penalizuan. Të gjithë e dinë se Besëlidhja ndaj skuadrave rivale dhe Partizanit kampion të Superiores ka fituar, çka do të thotë se kjo skuadër ka qenë formatuar për elitën”, thotë më tej presidenti i lezhjanëve.

VLERËSIM POGRADECIT

“Kam kënaqësinë të ndeshem me një skuadër si Pogradeci, është një skuadër që e njeh Superioren ashtu si ne. Të ndeshesh me të tilla skuadra është vërtet kënaqësi. Pogradeci, ashtu si edhe ne, nuk ka ardhur deri këtu rastësisht, por me punë e sakrifica, duke mposhtur shumë skuadra të mira. Të dyja skuadrat mund të ishin në vend të parë, por edhe nga ky pozicion do të luftojmë për objektivat. Dihet se në këto ndeshje nuk lejohen gabime, ndaj shpresoj se do të gabohet sa më pak të jetë e mundur. Luajnë 11 burra kundër 11 burrave dhe burrat më të zotë le ta fitojnë ndeshjen, unë do t’u shtrëngoj dorën në fund. Jam optimist për skuadrën time, kam besim të plotë te stafi teknik, te trajneri Elvis Plori, ndaj jam i qetë. Siç e theksova më lart, rezultatin le ta prodhojë përballja mes burrave në fushën e burrave, fituesit i uroj suksese”, përfundoi presidenti i Besëlidhje­s, Gjok Noka.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania