Panorama Sport (Albania)

Vendimi i papritur, Memushi jep dorëheqjen nga Oriku

-

Eqerem Memushi jep dorëheqjen nga drejtimi i Orikut. Lajmin e konfirmoi ekskluzivi­sht për “Panorama Sport” dje në mbrëmje vetë trajneri Memushi. Tekniku vlonjat pohon se është larguar për arsye personale, ndërsa falenderon drejtuesit e klubit bregdetar dhe tifozët për mbështetje­n. “Nga sot (dje) nuk jam më trajner i Orikut. Kam dhënë dorëheqjen për arsye personale. Falënderoj drejtuesit e klubit që më kanë qëndruar pranë, falënderoj lojtarët, falënderoj dhe të gjithë tifozët e Orikut. Ekipit i uroj suksese në të ardhmen, si dhe në sezonin që vjen. Largohem i kënaqur për atë çfarë kemi bërë bashkë këtë sezon. Ishte një eksperienc­ë pozitive dhe e mirë për mua”, është shprehur trajneri Memushi, i cili e mori drejtimin e Orikut pasi kishte nisur sezoni, duke zëvendësua­r Artan Sakajn. Një vendim i papritur ky, duke ditur që sot luhet ndeshja e fundit e kampionati­t me Devollin. Në këtë ndeshje transferte ekipin pritet që ta drejtojnë drejtori teknik Albert Haxhija dhe trajneri i portierëve, Niko Divija. Oriku e ka siguruar prej javësh qëndrimin në Kategorinë e Parë dhe shkon i qetë në ndeshjen e fundit sezonale në fushën e Devollit. Bregdetarë­t mposhtën Ilirinë pak ditë më parë dhe tashmë janë në kuotën e 40 pikëve, 5 më tepër se Turbina e vendit të dytë. Mbrojtësi i djathtë, Renaldo Azizaj, tha për “Panorama Sport” se Oriku do ta mbyllë me rezultat pozitiv kampionati­n. “Drejt Bilishtit shkojmë të qetë, do të luajmë pa asnjë presion dhe mendoj se do të kthehemi me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë. Oriku do të bëjë lojën e tij të zakonshme”. Kreun e minigrupit të “play out”-it Orikut nuk ia rrezikon askush.

Ermal Sika

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania