Panorama Sport (Albania)

Kooperativ­a e golit, te Milani tani shënojnë të gjithë

-

Milani shënon shumë e të shumtë janë ata që shënojnë për Milanin. Turi i forcës i bandës së Piolit rezultoi i jashtëzako­nshëm në disa pikëpamje. Ibrahimovi­ç konfirmoi forcën e tij, Çalhanoglu tregoi sa vlen teksa Kesi dëshmoi se është më tepër se veç muskuj. Nga fitorja me Juven që mungonte prej vitesh, te rinovimi i trajnerit, ky grup ka ditur të arrijë disa suksese. Ajo që habit më shumë pas ndalesës prej pandemisë janë 11 ndeshjet e luajtura, në të cilat 12 kuqezinj kanë gjetur rrugën e golit. Kjo shifër do të ishte e lartë për çdo ekip e aq më tepër për një si "Djalli" që në fillim të sezonit dukej sikur kishte alergji nga portat rivale. Ndaj Sampdorias shënuan tre lojtarë të ndryshëm, ashtu si ndaj Parmës e Lacios. Nëse nuk mjafton, shtojmë edhe pesë golashënue­s të ndryshëm me Bolonjën e katër kundër Juventusit.

Rebiç e Ibra janë dy "buajt" që udhëhoqën "karrocën". Ata nuk reshtën kurrë së shënuari. Në pesë ndeshjet e fundit përpara izolimit dy sulmuesit ishin të vetmit që kishin shënuar. Gjashtë gola në total, katër nga të cilët me firmë kroate. Për të gjetur një lojtar tjetër që shënonte duhet të kthehemi pas më 2 shkurt kur në barazimin 1-1 me Veronën ishte Çalhanoglu që gjente rrugën e rrjetës. Këta tre lojtarë kanë ditur të mbajnë gjallë "vesin" e golit, por njëkohësis­ht kanë ditur të "infektojnë" edhe të tjerë kolegë. Rebiç ka shënuar pesë herë pas rinisjes (11 në total) ndërsa Ibra një më shumë duke kapur shifrën e 9 golave në gjysmë sezoni. Ashtu si 38vjeçari, edhe Çalhanoglu që ka shënuar 6 herë nga qershori e deri më sot, por turku ka ofruar gjithashtu një metamorfoz­ë që i ka shtangur të gjithë në sensin më pozitiv të fjalës. Tre golat e Kesit janë fare pak përballë kontributi­t të afrikanit që më në fund po tregon vlerat për të cilat Milani shpenzoi 28 milionë euro tri vite më parë.

HERË TË PARA, POR JO VETËM - Gjurmët përpara ndalesës së Serisë A i kishte humbur edhe Rafal Leao, i cili pas pandemisë ka ditur të shënojë në 4 raste. Talenti dhe cilësia nuk i mungojnë, por në klub shpresojnë që Pioli ta bëjë më të vazhdueshë­m në paraqitje. Edhe Teo Hernandez ka treguar vlera shtesë, pavarësish­t se nuk ka ruajtur rimin e golave përpara Koronaviru­sit. Gjashtë realizimet sezonale janë qershia mbi tortë, të përbëra nga paraqitje plot substancë dhe cilësi. Kontrata i skadon nesër pas ndeshjes me Kaljarin, por Xhakomo Bonaventur­a diti të përfitojë për ta bërë klubin të ketë dyshimi mbi largimin e tij. Tre gola dhe 4 asiste për "xholin" e mesfushës në 11 prezenca gjatë të cilave u tregua gjithnjë i gatshëm për të dhënë kontributi­n e tij. Kastijeho, Romanjoli, Benaser dhe Kalabria plotësojnë kooperativ­ën e golit ku figuron edhe Selemekers. Milani shënon shumë e të shumtë janë ata që shënojnë për Milanin, ndaj, ndaj Kaljarit të interistit Zenga mund të ketë vend për suprizat e fundit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania