Panorama Sport (Albania)

Egbo, kritika mesfushës dhe ndeshje brenda grupit

- Redi Dandallaku

Në ditën e dytë të fazës përgatitor­e në Pogradec, Tirana ka kryer edhe seancën e dytë stërvitore me dy orare të ndryshme, në 08:00 dhe në 18:30. Stërvitja e mëngjesit ka qenë e lehtë për sa i përket aspektit fizik, e cila u dallua për disa ushtrime motivuese dhe zbavitëse. Ndryshe nga pardje, ku trajneri Egbo mblodhi ekipin në mes të fushës dhe mbajti një fjalim motivues, duke i kushtuar rëndësi të veçantë bashkëpuni­mit dhe lojës në grup, dje edhe për shkak të pranisë së skuadrës së Pogradecit, stafit teknik dhe disa tifozëve të pranishëm në stadium, ai u foli lojtarëve në dhomat e zhveshjes para seancës së dytë stërvitore. Seanca stërvitore nisi me disa vrapime të lehta rreth fushës dhe më pas u shtua intensitet­i, ku lojtarët zhvilluan disa ushtrime stërvitore të zakonshme, por me intensitet të lartë. Dukej se vëmendja e Egbosë ishte te portierët Lika dhe Qirko, të cilët i stërviti personalis­ht, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës u drejtua nga stafi teknik përreth 40 minuta. Diçka që bie në sy është edhe përfshirja në ekip e dy lojtarëve të U-19, Abazaj dhe Sefa, ndërkohë edhe e Stafës, i cili është angazhuar me ekipin e parë që prej janarit. Edhe këtë herë Egbo vendosi të organizojë një ndeshje kontrolli ku në të dyja formacione­t kishte një miks lojtarësh, mes atyre të formacioni­t dhe lojtarëve rezervë apo të rinj në moshë. Edhe pse Egbo njihet si një trajner i qetë dhe ka zgjedhur pikërisht stilin motivues për të drejtuar këtë fazë, gjatë kësaj ndeshjeje nuk munguan sadopak disa kritika të tij për lojtarët e mesfushës. Seanca zgjati një orë e 30 minuta ku ra në sy edhe shfrytëzim­i deri në limit i kohës deri në të errur (perëndim të diellit). Interesant është fakti se në fund të ndeshjes të kontrollit, lojtarët së bashku zhvendosën portat lëvizëse dhe i larguan nga fusha e blertë, duke ndihmuar edhe punëtorët e stadiumit. Në përfundim, trajneri kishte vendosur të mos fliste drejt lojtarëve, ku i la të lirë drejt hotelit ku ekipi është vendosur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania