Panorama Sport (Albania)

Kampionati kombëtar shpall kampionët e ditës së parë

- Vladmir Mema

Pas Kupës së Shqipërisë të zhvilluar javën e kaluar, dje në stadiumin "Elbasan Arena" u zhvillua dita e parë e garave të kampionati­t të 82-të kombëtar të atletikës për të rritur, event që do të vijojë edhe ditën e sotme. Në këtë aktivitet marrin pjesë 12 ekipe me 130 sportistë në total, 78 meshkuj dhe 52 femra. Në aktivitet garuan edhe atletët veteranë, për të cilët u ndanë edhe certifikat­a. Në përgjithës­i garat ishin të qeta dhe duke marrë parasysh se edhe atletika u prek nga pandemia e "COVID-19", duke i privuar atletët edhe për kryerjen e seancave stërvitore. Ndërkohë, në ditën e parë u thyen edhe dy rekorde kombëtare për të rinj në kërcimin së gjati, me Heidi Valikajn që kërceu 7.38 metra dhe Erisa Rrasën me 5.90 metra.

REZULTATET Në kryeqytet u mbajtën garat e hedhjes së çekiçit dhe ato të shtizës. Respektivi­sht dy vendet e para në hedhjen e çekiçit i takuan Samuel Bishanakut të Dinamos dhe Emiliana Cikos së Tiranës. Shtizën e hodhën më shumë dy sportistët e Teutës, Ingri Nelaj dhe Marsela Luzi. Muhamet Çengeli i Vllaznisë u rendit i pari në kërcimin së gjati. Në 100 metra me pengesa, Melisa Sina e Partizanit e përshkoi më shpejt sesa vajzat e tjera. Florian Lata i Tiranës u tregua më i shpejtë në garat e 400 metrave me pengesa te meshkujt. Në 100 metra për vajza vendi i parë i takoi Paola Shyles së ekipit të Tiranës, ndërsa në garën e 800 metrave vendi i parë i takoi Relaksa Dautit po të Tiranës. Franko Burraj i Vllaznisë dhe Iliana Beqiri e Tiranës dolën të parët në garën e 400 metrave. Në kërcimin së larti në vend të parë dolën dy sportistët e Vllaznisë, Glenis Haxhia dhe Sara Malaj. Bruno Puqja i Besës zuri vendin e parë në garën e 3000 metrave për meshkuj, ndërsa në atë të 5000 metrave për femra e para doli Eigerta Pjetra e Tiranës. Vllaznia A për meshkuj dhe Tirana A për femra zunë vendin e parë në stafetën 4×100.

IZMIR SMAJLAJ

Ish-kampioni i Europës, Izmir Smajlaj, mungoi në garat e kampionati­t kombëtar për shkak të një dëmtimi. Ditën e sotme atleti shkodran do t'i nënshtrohe­t një operacioni, me shpresën që të rikuperojë dëmtimin dhe të kthehet të garojë në nivele të larta. Për dëmtimin e tij foli edhe vetë kreu i FSHA-së, Gjergj Ruli. "Izmir Smajlaj do të operohet nesër (sot) dhe le të shpresojmë që çdo gjë do të shkojë mirë dhe sa më shpejt Izmiri të rehabilito­het për të filluar stërvitjen", u shpreh Ruli, i cili është gjithashtu trajneri i atletit shkodran.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania