Panorama Sport (Albania)

Reja leksione Uzunit, lojtarët e Shpresave si... "bandë"

-

Të gjithë me destinacio­n Tiranën. Dje, kuqezinjtë kanë mbërritur në vendin tonë dhe për të qenë gati për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Kazakistan­it dhe Lituanisë më 11 dhe 14 tetor. Paradite, disa prej atyre që kanë mbërritur që të dielën në grumbullim, kanë zbritur në terrenin e "Skënder Halilit" për të kryer ushtrime shkrythëse dhe vrapime të lehta. Pasdite, në orën 17:30, kuqezinjtë kanë mbërritur të gjithë në "Selman Stërmasi". * Alban Hoxha vjen i pari, çuditërish­t me taka bardheblu. Portieri i të kuqve e mori të shtunën në mbrëmje ftesën, edhe në mungesë të Etrit Berishës dhe dyshimeve të Strakoshës për gjendjen e tij. Bie në sy shtatlartë­sia e Marko Mollës, 18-vjeçarit që vjen për herë të parë në Kombëtaren A, edhe pas pjesëmarrj­es në Botëror me Italinë U-17 një vit më parë. Robust, shpatullgj­erë, i gjatë dhe sigurisht shumë elastik. Një e ardhme për portën e Kombëtares...

* "Paska festë sot këtu", thotë Reja me buzëqeshje­n që ia mbulon disi maska e pavendosur mirë në fytyrë sapo vjen në stadium, drejtuar kamerave të shumta dhe gazetarëve të pranishëm. "Do të ishte vërtet festë nëse lejohet të ndiqet stërvitja e plotë mister", është një kërkesë drejtuar italianit. "Për mua asnjë problem. Bëni si të doni. Pa si të thonë këta", shprehet nxitimthi italiani që merr dosjen e tij dhe del menjëherë në mesin e fushës. Jo më kot...

* Myrto Uzuni dhe ish-bomberi, Hamdi Salihi, janë aty për të biseduar me trajnerin. Italiani shpjegon shumë për sulmuesin e Ferencvaro­sh, i cili nga mungesat e shumta, por sigurisht edhe për formën mjaft të mirë që po kalon te Ferencvaro­sh, pritet të ketë minuta të mjaftueshm­e në këto dy ndeshje. Reja i shpjegon edhe me duar disa nga lëvizjet dhe kërkesat e tij për beratasin. Ndërkohë, edhe vetë Salihi shton nga vetja si të thuash momente humori duke i bërë thirrje Uzunit që t'i vërë gishtin kokës. Sigurisht, atmosferë leksionesh për 25-vjeçarin, por miqësore dhe me shumë vlerë teksa përballë ka një profesor të pankinës dhe një tjetër me shumë histori, por në fushë si bomber.

* Lodhja është prezente, sidomos tek ata që kanë qenë në fushë të dielën me ekipet e tyre. Berat Gjimshiti është prej atyre që pas nxehjes, bën vrapime rreth fushës. Thomas Strakosha, për disa shqetësime muskulore në kofshë, lihet pushim në mënyrë që të ndiqet me kujdes nga stafi mjekësor i Kombëtares, me shpresën për ta rikuperuar në kohë për këto dy sfida. Jon Mersinaj, mbrojtësi i Lokomotiva Zagreb, ka një dëmtim dhe do të ndiqet me kujdes nga stafi mjekësor.

* Albi Doka, Sherif Kallaku, Jon Mersinaj bashkë me disa që vijnë nga Shpresat qëndrojnë me njëri-tjetrin sapo dalin në fushë njësoj si një bandë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania