Panorama Sport (Albania)

Festival golash, Italia shkëlqen edhe me rezervat

El Sharaui dopietë, ekipi i Mançinit i dëfren të gjithë

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Italia vendos që të mbajë distancat që në fillim, siç është e nevojshme në këtë periudhë të vështirë që të gjithë po jetojmë. Por distanca që vendos të mbajë që në fillim ndaj Moldavisë ishte e pamëshirsh­me. Suksesi 6-0 në “Artemio Franki” ishte leksioni i radhës që “Axurrët” dhanë në fushën e lojës, njësoj si suksesi në transfertë ndaj Holandës, në duelin e vlefshëm për Ligën e Kombeve. Madje, testi i djeshëm vlen akoma më shumë, kur mendon se trajneri Roberto Mançini pa Italinë e tij të shënonte 6 gola ndaj Moldavisë, pasi në fushë kishte rreshtuar linjat e dyta, ndoshta edhe ato të tretat të hierarkisë së roleve në skuadër, por me sa duket, edhe rezervat i kanë memorizuar siç duhet lëvizjet dhe skemat që “Manço” kërkon nga të tijtë. Italia më në fund jo vetëm që ka rigjetur shpirtin e saj, i cili kishte humbur prej disa kohësh, por ndërkohë rikthehet të dëfrejë e të surprizojë edhe me debutuesit. Si për shembull goli i sulmuesit Kaputo në ndeshjen e tij të parë, apo edhe realizimet e para me bluzën “Axurre” të Kristantes e Berardit, me të parin që hapi festivalin e golave, ndërsa tjetri e mbylli atë. Gjithsesi, njeriu i ndeshjes ishte Stefan El Sharaui, ish-sulmuesi i Milanit dhe i Romës, që ndeshjen e parë si kapiten i Italisë e nderoi me një dopietë personale, por në të njëjtën kohë frymëzoi edhe shokët e tij. Dhe kaq mjafton, që Mançini dhe 4 herë kampionët e botës të presin më të qetë dopiodueli­n e vlefshëm për Ligën e Kombeve, në datat 11 dhe 14 tetor, respektivi­sht me Poloninë në transfertë dhe me Holandën në shtëpi.

6 GOLA – Me një formacion totalisht eksperimen­tal, në të cilin u dha hapësirë thuajse të gjitha rezervave të tij, Italisë së Mançinit iu desh një çerek ore që të gjente ritmin, të bënte nxehjen, derisa në të 18-ën erdhi edhe zhbllokimi i ndeshjes: Kristante me kokë devijon saktë goditjen e këndit të ardhur nga Bonaventur­a, ndërsa në 28 minutat në vazhdim, “Axurrët” shënuan edhe katër herë të tjera. Ai që pason Kristanten është Kaputo, i cili me një filtrim alla “Toto Skilaçi” shtyn saktë në rrjetë pasimin e Biragit (2-0). Firma e tretë mban emrin e El Sharauit, që djeg në dalje portierin Koselev, pas asistit të Kristante (3-0), ndërsa goli i katërt nis nga mbrojtja: pasim prej 50 metrash i Açerbit për Kaputon që stopon në zonë, por Posmak, në tentativën për të larguar në goditje këndi topin, godet me forcë në portën e tij për një autogol spektakola­r (40). Gjithsesi, në pjesën e parë ka kohë edhe për golin e pestë, në minutën e parë shtesë, kur El Sharaui godet saktë me kokë, aksionin e nisur nga Laxari në të djathtë. Në pjesën

e dytë, Mançini bën 6 zëvendësim­e, ritmi i lojës bie me të drejtë dhe i vetmi gol që shënohet dhe që blindon shifrat finale në 6-0 i takon Berardit, pas asistit të Grifos. Gjithçka e lehtë për Italinë, të paktën deri në pritje të së dielës, ndaj Polonisë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania