Panorama Sport (Albania)

Të etur për sukses, derbi si luftë mes Kinës e SHBA-SË

-

Si për fillim, fitoret nuk duken keq, por suksesi në derbi do të ishte një prezantim edhe më i mirë i Milanit në sezonin që sapo ka nisur. Në janar të 2021-shit bëhen 5 vite nga fitorja e fundit e ndërqytetë­ses në Serinë A dhe “Elliott”, fondi menaxhues i kuqezinjve, ka një bilanc fitoresh totalisht të kundërt me buxhetin. Katër kryqëzimet e “Djallit” amerikan me Interin kanë sjellë po aq grushte, por ai i 17 tetorit është gjithsesi një rast i volitshëm për të konfirmuar ecurinë e mirë të ekipit të Piolit gjatë 2020-ës. Të rinj, por me shumë ambicie, shokët e Ibrës duhet të tregojnë se dinë të fitojnë edhe me të mëdhatë. Tri pikë ndikojnë pak në planet e fondit me seli përtej oqeanit që synon të vijojë projektin e nisur e t’i japë një formë më konkrete me kalimin e muajve. Më i ri në moshë, Stiven Zhang si president nuk njeh ende humbjen në derbi. 29-vjeçari është zemra pulsuese e zikaltërve jashtë fushës së blertë, teksa nën menaxhimin e familjes së tij Interi ka pasur një rritje të dukshme si ekip, por edhe si klub. Konfirmime­t e figurave si Konte apo qëndrimi i Lautaros janë tregues i këmbëngulj­es së manjatit kinez që vijon t’i besojë edhe Bepe Marotës kur bëhet fjala për profile të përshtatsh­me me ambiciet zikaltër.

MISIONE - Dy vite e pak muaj kanë kaluar nga “pushtimi” amerikan i Milanit, megjithatë koherenca është gjithmonë e më shumë një refren i klubit. Këtë e konfirmoi edhe merkatoja e fundit ku pavarësish­t se nuk u sigurua një qendërmbro­jtës, ambiciet ngelen të paprekura. Aq më tepër që vetëm pak kohë më parë Paolo Maldini deklaronte se Milani nuk ka si synim Champions-in, por përpjekjet për t’iu afruar sa më shumë këtij objektivi. Në këto kushte Liga e Europës ngjason si me një antipastë për atë që është planifikua­r të jetë e ardhmja e Milanit. Disi më ndryshe situata në anën zikaltër të Milanos. Zhang është simbol i suksesit në biznes dhe e dëshiron diçka të tillë edhe në sport. Jangsu Suning është vetëm një pjesë e ambicieve sportive të manjatit aziatik, teksa Interi duhet të jetë simboli. Vendi i dytë në kampionati­n e kaluar vetëm sa i ka shtuar oreksin dhe përforcime­t në merkato janë një vlerë e shtuar për ekipin e Kontes që shihet nga të gjithë si antagonist­i i Juves në luftën për titull.

INVESTIMET - Me një xhiro prej 377 milionë eurosh, zikaltrit kanë shënuar në sezonin e fundit 49 milionë euro humbje. Thuajse trefish i humbjeve për kuqezinjtë që xhiron vjetore e kanë në vlerën e 228 milionë eurove. Edhe shpenzimet e verës janë diametrali­sht të kundërta pasi Interi shpenzoi 67 milionë euro, teksa për ekipin e Piolit u shpenzuan vetëm 21.7 milionë euro. Krahasime financiare mund të bëhen vetëm në nivel rrogash mes sulmuesish. Ibra te “Djalli” paguhet 7 milionë euro në sezon, teksa Lukaku merr 500 mijë më tepër në anën tjetër të qytetit. Lufta e milionave mund të kalojë edhe në planin personal, pasi në rast titulli, Stiven Zhang do të ishte presidenti më i ri i titulluar në historinë e futbollit italian, teksa një sukses i njëjtë te Milani do të vlente për kompaninë e parë që fiton në krye të një klubi të Serisë A. Sfidat, siç shihet, janë të shumta e në disa aspekte, teksa derbi kinezo-amerikan premton shkëndija. Takimi më 17 tetor në 18:00.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania