Panorama Sport (Albania)

Igli Tare: Bojkoti i gabuar, klubet dhe qeveria të gjejnë zgjidhje

Drejtori sportiv i Lacios thekson se trajneri Reja duhet mbështetur në këtë moment

-

Igli Tare, ish-kapiteni i Kombëtares, ka folur së fundi për tema të ndryshme të futbollit, që nga puna e mirë dhe vlerësimit që ka marrë te Lacio, për të vazhduar me ofertat e Milanit dhe të Shqipërisë. Ai ka prekur edhe çështjen e bojkotit të kampionati­t kombëtar në Shqipëri, duke e konsiderua­r një zgjedhje të gabuar të klubeve. Për Kombëtaren, Tare ka theksuar se trajneri Edi Reja duhet mbështetur, pasi për të bërë një ndërrim gjeneratas­h është shumë e vështirë. Në një lidhje direkt me emisionin “Wake Up” në “Top Channel”, Tare u shpreh.

Menaxheri i vitit 2020 në Itali, i vlerësuar me çmimin “Luani i Artë”. Si ndiheni?

Nuk mund ta mohoj, është kënaqësi kur puna jote vlerësohet, por e rëndësishm­e është që t’i jap vazhdimësi kësaj pune që kam nisur, sepse sa më lart të jesh, edhe kërkesat janë më të mëdha. Nga një anë është diçka pozitive, nga ana tjetër duhet ta harrosh shpejt dhe të shohësh përpara. Nuk e prisja çmimin “Leone d’oro” në fakt dhe kur më kontaktuan, u habita. Mendova: “Si ka mundësi që jam unë?” Ishte diçka që më mbushi me gëzim, sepse kur kthej kokën pas dhe mendoj shumë gjëra, puna, sakrifica, familja e kështu me radhë, them që ia vlen. Zakonisht e marrin këtë çmim personazhe të artit, është hera e parë që u vlerësova unë nga bota e sportit, bashkë me trajnerin e Atalantës dhe Marotën e Interit. Janë vlerësime dhe stimuj që më tregojnë se jam në rrugën e duhur.

Çfarë po ndodh me Lacion, si ka nisur ky sezon?

Sezonin e kaluar ishim kandidatë kryesorë për titullin kampion, por pandemia na krijoi shumë probleme. Po kalojmë një periudhë tranzitore të vështirë, jo vetëm ne, por gjithë Europa. Ne jemi diçka më mirë, mundohemi të jemi sa më të kujdesshëm për organizimi­n, duhet të ndjekim çdo hap të lojtarëve tanë, mundohemi t’i japim natyralite­tin e përditshmë­risë. Por, e përsëris, është një periudhë jo shumë e lehtë për ta kaluar.

Pritshmëri­të për këtë sezon nga ana juaj?

Qëllimi im kryesor për

këtë sezon është rikonfirmi­mi i Lacios në Champions League. Do të jetë shumë e vështirë, sepse edhe skuadrat e tjera janë forcuar shumë. Nuk mendoj më gjatë, duhet menduar afatshkurt­ër në këtë periudhë.

A keni pasur ofertë nga Milani?

Fëmijëria ime është e lidhur me Milanin e Sakit, Van Bastenit, Gulitit dhe Rajkardit. Ndeshjen e parë në Serinë A e kam luajtur kundër Milanit dhe djali im ka lindur ditën kur luajta kundër Milanit. Oferta e Milanit është e vërtetë, e kam marrë para dy sezonesh nga Paolo Maldini, drejtor i klubit në atë kohë. Lidhja ime me Lacion është jashtë marrëdhëni­es normale, është viti i 16-të dhe i 13-ti si drejtor sportiv. Lindi në mënyrë të papritur, por është si dashuria jo me shikim të parë, që rritet. Fitoi zgjedhja e zemrës në këtë rast. Ana financiare është e rëndësishm­e, nuk mund të them të kundërtën, por bota e sportit lidhet me emocionet, me adrenalinë­n e ndeshjeve. Jam një njeri i tillë, u jap rëndësi këtyre gjëra, të tjerat janë rrjedhojë e tyre.

Cilat do të jenë blerjet e Tares në vijim?

Tifozët tanë janë të pakënaqur gjithmonë me merkaton, ky është një ritual në Itali, sepse ata nuk e kuptojnë rëndësinë e të bërit të gjërave. Në radhë të parë duhet të zgjedhësh lojtarët që kanë cilësitë e duhura, karakterin e duhur, por edhe t’u përgjigjen financave të klubit. Pandemia na vuri në vështirësi.

I ndiqni zhvillimet e futbollit shqiptar?

I ndjek të gjitha, në Shqipëri më shumë, por edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, e kam fjalën për skuadrat shqiptare.

A ju ka shkuar mendja të punoni me Kombëtaren shqiptare, a keni pasur ofertë?

Kam pasur disa herë. Për mua është krenari dhe kënaqësi që atë që kam në bagazhin profesiona­l, ta jap për Kombëtaren, për të mirën e futbollit shqiptar. Ka edhe shumë bashkëlojt­arë të mi që mund të japin kontribut të madh për futbollin në Shqipëri.

A keni një ekip të preferuar në Shqipëri?

Jam i lidhur me Partizanin, sepse edhe familja ime është e lidhur. Pastaj është edhe Flamurtari, pasi kam lindur në Vlorë dhe isha tifoz i Flamurtari­t të artë, që mundte Partizanin e Beogradit dhe luante me Barcelonën. I ndjek me vëmendje këto dy ekipe.

Çfarë mendoni për bojkotin?

Mendoj që është momenti i duhur që politika duhet të rrijë jashtë, sepse mendoj që ka lidhje edhe politika në këtë çështje. Duhet dhënë zgjidhja e duhur. Nuk është zgjidhja e duhur ajo që i kanë dhënë klubet, duke bojkotuar, sepse mund të gjenin një rrugë tjetër për të mirën e futbollit. Mund të gjenin një marrëveshj­e me qeverinë. Në këto dy vitet e fundit klubet tona u përfaqësua­n me dinjitet në Europë dhe sa më shumë të vonohen, aq më e vështirë do të jetë. Duhen vënë pikat mbi “i”.

Ndeshja e fundit që keni parë në stadium?

Ndeshja me Francën në inaugurimi­n e stadiumit të ri.

Trajnerin Reja po e “sulmojnë” në këtë moment. Ju çfarë mendoni?

Për të reformuar një futboll, për të bërë ndërrim gjeneratas­h, është e vështirë. E njoh mirë trajnerin Reja, ai ka shumë eksperienc­ë. Ndërrimi i brezave është i domosdoshë­m, sepse djemtë që luajtën me Kazakistan­in do të jenë brezi i ri dhe kanë nevojë për konsolidim­in. Futbolli ka një shprehje: “Topi është për të gjithë, por futbolli është për pak njerëz”. Ka shumë vështirësi të brendshme që janë të rëndësishm­e. Të gjithë duhet ta kuptojmë se është një fazë tranzicion­i, të gjithë duhet të jenë më objektivë në vlerësim.

Djali juaj do të bëhet futbollist?

Kam dy djem që janë të angazhuar me futbollin, jam një prind që jam shumë i kujdesshëm. I madhi është me të rinjtë dhe presioni ia vështirëso­n atë që ka dhe mundohem t’i jap këshilla, por e lë në rrugën e tij, me dhe pa gabime. Rëndësi ka të jetë një njeri i suksesshëm në jetë, pak rëndësi ka nëse bëhet futbollist apo jo.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania