Panorama Sport (Albania)

Berisha: Ndeshje kyçe, duhet 110 % për triumfin

-

Etrit Berisha e sheh ndeshjen e sotme në Lituani si pikën kyçe të grupit A në Ligën e Kombeve. Kapiteni i Shqipërisë doli dje në krah të trajnerit Edi Reja në konferencë­n e zakonshme për shtyp, teksa foli me optimizëm për sfidën me Lituaninë që do të luhet në orën 18:00. Fillimisht portieri foli për sfidën e 7 shtatorit në Tiranë, ku kuqezinjtë u befasuan nga kundërshta­ri. "Lituania luajti shumë mirë faktikisht në ndeshjen e parë, duke na vënë në vështirësi. Ndoshta edhe ne nuk kemi bërë ndeshjen tonë më të mirë që duhej bërë. Gjithsesi, ajo humbje është harruar tashmë dhe rëndësi ka ndeshja e nesërme (sotme), ku duhet të jemi shumë të përqendrua­r dhe të përgatitur. Kjo mendoj se është një ndeshje kyçe për rrugëtimin tonë në Ligën e Kombeve", deklaroi kapiteni, i cili në mungesë të mbrojtësit Elseid Hysaj, mban tashmë shiritin në Kombëtare.

SITUATA - Barazimi në Kazakistan nuk bëhet dramë nga Berisha. Madje ai e cilëson pozitive lojën e kuqezinjve, ndërsa beson se sot do të merren tri pikë në Lituani. "Ndaj Kazakistan­it mendoj se ka qenë një ndeshje pozitive, edhe pse nuk mundëm të fitonim. Kam parë një grintë në skuadër shumë më të mëdha se në takimin e kaluar me Lituaninë. Të gjithë çunat e dinë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe duhet të japin 110 % për të arritur fitoren. Dihet objektivi jonë, kështu që ndaj Lituanisë duhet vetëm tri pikë, aq më tepër ndaj një kundërshta­ri që na ka mundur në fushën tonë. Nuk duhet të lejojmë të na ndalin", theksoi kapiteni.

NDRYSHIMET - Në fund, i pyetur sa kanë ndikuar ndryshimet e shumta pas afrimit të disa lojtarëve të rinj dhe mosgrumbul­limit të emrave që kanë mbajtur peshë në të kaluarën, Berisha u shpreh: "Në grup kemi lojtarë të rinj dhe sidomos këtë herë, pasi kemi edhe mungesa të shumta. Lojtarët e rinj kanë kualitet, por u duhet kohë që të ambientohe­n dhe luajnë me Kombëtaren. Me siguri do të japin maksimumin e tyre, por edhe ne që jemi më të vjetrit në ekip, do të mundohemi t'i mbështesim dhe t'i motivojnë me të gjitha mënyrat. Pastaj kur të arrihet një vetëbesim në skuadër, të gjithë lojtarët do të përfitojnë, qoftë ata të rinj apo me më tepër eksperienc­ë".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania