Panorama Sport (Albania)

Mesi kthehet me sherr, Nejmar “kopjon” Ronaldon

Vijnë të lodhur, por edhe të karikuar për derbin

- Përgatiti: GENTJAN ALINANI

Të lodhur po, por me dëshirë, të karikuar dhe me... gola. Lojtarët e Interit rikthehen nga eliminator­et e Amerikës së Jugut gati për derbin kundër Milanit. Në javën e dytë shkëlqejnë dy sulmuesit Lautaro Martinez dhe Sançez, por edhe Arturo Vidal gjeti rrugën e rrjetës me Kilin. Kujtojmë që sulmuesi Sançez shënoi edhe në ndeshjen e parë kundër Uruguait.

NDESHJA- Dy golat e Kilit mbajnë firmën e “italianëve” Vidal dhe Sançez, por nuk mjaftojnë për t’i dhënë tre pikët skuadrës kundër Kolumbisë. Kili tregon se ka humbur grintën dhe forcën mbrojtëse dhe prej një viti nuk fiton një ndeshje zyrtare. Shembulli konkret për këtë është goli i parë i “Cafeteros”, ku mbrojtja kiliane është në “gjumë” dhe bën një gafë amatore. Lerma nuk fal dhe arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Për fatin e Kilit në fushë janë interistët: Vidal dhe Sançez që kanë udhëhequr këtë gjeneratë për fitoren e 2 Kupave të Amerikës. Për katër minuta përmbysin rezultatin. Fillimisht, Arturo me penallti në minutën e 37-të dhe pastaj Sançez pas një krosim në minutën e 41 i “djeg” të gjithë lojtarët në mbrojtje. Pjesa e dytë kishte raste të shumta dhe në minutën e fundit të ndeshjes gjejnë golin e barazimit, të merituar. Merita ishte e Mohicës, i cili rrëmben topin dhe pason në qendër ku “tigri” Falkao e dërgon në rrjetë dhe shpërthen në lot.

REKORD- Me golin e shënuar mbrëmjen e djeshme kundër Kolumbisë, Aleksiz u bë kiliani me më shumë gola të shënuar në historinë e kombëtares. Sulmuesi zikaltër parakaloi një tjetër ish-interist, Zamoranon. Sançez ka shënuar 26 gola, ndërsa Zamorano ka ndaluar në kuotën e 25 golave. Nuk munguan as kompliment­et nga ky i fundit. “Bravo Aleksiz. Vazhdo kështu. Shëno akoma më shumë gola”, shkruante ai. Sulmuesi i Interit pësoi dy ndërhyrje të rrezikshme, një nga Kuadrado dhe një nga Hames, por i siguroi të gjithë që është gati për të luajtur. “Jam mirë. Unë jam gjithmonë gati, sepse e dua këtë që bëj. Nuk ishte asgjë serioze. Më vjen keq që nuk e fituam dot këtë ndeshje. Federata duhet të punojë më mirë për të zbuluar talente të reja, sepse nuk shoh ende asnjë lojtar të gatshëm për të luajtur me kombëtaren. Nuk kemi shumë kohë për të humbur, por edhe mediat duhet të na japin një dorë në këtë aspekt dhe të jemi të gjithë bashkë”, ka përfunduar Sançez.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania