Panorama Sport (Albania)

Bardhi: Partizani ju surprizon, ja sekretet e Dajës

"Titulli nuk varet nga merkatoja. Ne vjet bëmë shumë afrime, por shkuam gropë në fund"

- ILIR CARA

Me ardhjen e trajnerit Ilir Daja, Jurgen Bardhi do të luajë pikërisht aty ka ndihet më komod. Në inter vistën e dhënë për "Panorama Sport" 22-vjeçari tregon gjendjen e të kuqve pas dy muajsh stërvitje me Dajën, si dhe cilësitë dhe kërkesat e trajnerit të ri. Bllokimin e merkatos Bardhi e shikon më shumë pozitivish­t dhe interesant është shembulli që ai jep për mungesën e përforcime­ve, ku Partizani i vitit të shkuar bëri ndryshime të mëdha, por shkoi gropë. Titullin nuk e shikon të pamundur dhe beson se të kuqtë do të surprizojn­ë. Sipas tij, me Dajën ekipi ka ndryshuar dhe "demat" janë gati për startin.

Pas dy muajsh stërvitje me trajnerin Daja, si ju duket Partizani?

Ekipi duket mirë dhe po e merr formën e vete ashtu siç e do profesor Daja. Shpresoj që të bëjmë gjëra të mira në kampionat, nisur nga mënyra sesi ekipi po e shfaq lojën e tij.

Edhe ju keni ndryshuar mënyrën e lojës, mos ndoshta ndjeheni më mirë në pozicionin e ri që iu ka vënë trajneri?

E kam thënë më përpara, që roli im është prapa sulmuesit ose mesfushor. Besoj se trajneri Daja më njeh që fëmijë dhe më ka përshtatur aty unë jam më mirë.

Pra, presim që t'iu shikojmë ndryshe dhe më të lirshëm...

Ashtu besoj edhe unë. Me ndihmën e profesorit të arrij të jap Bardhin e vërtetë që presin të gjithë.

Tani e shikoni veten si golashënue­s apo si shërbyes për shokët?

Mund të jem te të dyja. E kam thënë edhe më parë që më shumë më pëlqen të jap pasime për gol, pasi ndihem më i lumtur se krijoj diçka, apo sikur bëj magji. Dihet që shënimi i golit të jep emrin dhe përfitime.

Bllokimi i merkatos, a ju penalizon për të pretenduar titullin?

Edhe një ekip që bën merkato nuk e ka të sigurt, jo më ne në situatën që ndodhemi. Është edhe shembulli ynë në sezonin e shkuar, ku edhe pse ishim në krye deri në një farë pjese të sezonit dhe pas shumë afrimesh, shkuam gropë. Pra, çështjes titull nuk i dihet asnjëherë. Bllokimi i meraktos ka të këqijat dhe të mirat e veta.

Cilat janë këto?

Pozitiv është shansi që u jepet të rinjve, pasi duke krijuar një grup me gjak të ri skuadra mund të jap më të mirën. E mirë konsideroh­et ruajtja dhe konsolidim­i i grupit, pasi jemi ata që kemi qenë edhe vjet dhe njihemi më mirë me njëri-tjetrin. Pastaj edhe profesori është i zoti që t'i përshtatë lojtarët në të gjitha rolet. Kjo vjen edhe nga eksperienc­a që ka trajneri Daja dhe besoj se do të marrë më të mirën grupit. Ndërsa e keqja është se nuk ka shumë eksperienc­ë.

Trajneri e ka deklaruar se ekipi ka cilësi në fazën sulmuese. Mendoni se përshtatje­t që ka bërë Daja në prapavijë do të dalin me sukses?

Trajneri i ka bërë këto përshtatje që të dublojë të gjitha rolet me grupin që ka. Edhe pse janë djem të rinj, kanë shumë cilësi dhe kanë treguar se mund të jenë aty ku duhet. Kërkohet pak besim tek ata, por edhe ne të tjerët duhet t'i përkrahim ata, në mënyrë që ta ndihmojnë ekipin gjatë gjithë sezonit.

Drejtuesit ua kanë hequr barrën e titullit, pasi kërkojnë vetëm fizionomi loje. Si ekip, besoni se mund të dilni kampion?

Unë gjithmonë pretendoj të jem kampion. Dëshira është që të jem më i mirë dhe në skuadrën më të mirë. Madje edhe vetë profesori na ka thënë që të mendojmë se jemi më të mirët. Titullit nuk i dihet, por ndeshje pas ndeshjeje do të shikojmë se ku do jemi dhe ku do shkojmë.

Në testin e fundit mundët Teutën, një nga ekipet që ka bërë merkato të bujshme. A u jep edhe kjo arritje më shumë besim për forcën që keni?

Ne na jep besim vetëm mënyra e lojës dhe grupi. Jemi një ekip që sakrifikon për njëri-tjetrin dhe kjo do të jetë pika jonë më e fortë. Nuk ka lidhje me kë u përballëm së fundmi dhe çfarë rezultati morëm. Do t'i marrim ndeshjet një e nga një dhe do të japim më të mirë tonë.

Çfarë ka sjellë diçka ndryshe trajneri Daja, që ju e dalloni?

Trajneri kërkon shumë, kryesisht në krijimin e frymës së grupit, të sakrifikoj­më dhe shpejtësin­ë e lojës.

Duke parë ndërhyrjet që kanë bërë në merkato dhe ecurinë,cilin shikoni si rivalin më të vështirë për Partizanin?

Të gjithë janë munduar të krijojnë ekipe të forta, por mund të veçoj Teutën, Laçin, Kukësin dhe Tiranën. Për mua klubet e Superiores janë në nivele të larta, por varet se çfarë rrjedhe do të marrë kampionati. Ndaj pa filluar sezoni nuk mund të jap një përgjigje të saktë.

Shtyrja e kampionati­t ka ndikuar për mirë apo për keq te Partizani?

Besoj se ka ndikuar për mirë te ne, pasi na ka dhënë kohë që të përshtatem­i më shumë dhe të kuptohemi më mirë me njëritjetr­in dhe interpreto­jmë edhe idetë e trajnerit të ri.

Me rikthimin e Asanit, mund të shpresojmë që do të shikojmë sërish "BAM"-IN (Bardhi-asani-mala) e sezonit të titullit?

Asani është një lojtar që i nevojitet shumë Partizanit. Siç e ka thënë edhe trajneri, Partizani ka shumë cilësi brenda vetes në sulm. Gjithsecil­i ka të mirat e tij, ndaj Partizani nuk ka vetëm "BAM"-IN. Partizani është një i vetëm dhe të gjithë së bashku duhet të japim më të mirën që ekipi të jetë aty ku e meriton.

Mos ndoshta ka ardhur momenti që të marrë fund bojkoti dhe të nisë kampionati, pasi u bë më shumë se dy muaj që kryeni vetëm stërvitje?

Me thënë të drejtën, do të doja shumë që të niste kampionati. Të gjithë futbollist­ët po e presim me padurim startin e sezonit, pasi kur nis gara kemi mundësi të tregojmë vlerat tona. Stërvitjet janë kthyer si teori pa praktikë. Punën që ka bërë trajneri Daja, ne kërkojmë që ta tregojmë në fushë, pasi Partizani ka ndryshuar.

A jeni gati si ekip për fillimin e sezonit?

Gati jemi, por do të shikojmë se çfarë do të tregojmë në ndeshjet e para. Ne do të mundohemi të japim maksimumin tonë, por kjo është në varësi të ecurisë së kampionati­t, pasi futbolli është i paparashik­ueshëm. Gjithsesi, jemi gati dhe po presim të nisë sezoni.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania