Panorama Sport (Albania)

Asensio: Më donte Barcelona, ju tregoj vuajtjet e këtij viti

-

Marko Asensio e zbulon se mund të transferoh­ej te Barcelona, por thotë se në momentin që e telefonoi Reali i Madridit nuk u mendua dy herë. Sulmuesi spanjoll zbulon momentet e vështira të dëmtimit dhe thotë se tani është më i motivuar se kurrë.

Si e menaxhoni presionin që keni përreth në këtë sezon?

Jam shumë i karikuar këtë sezon. Vij pas një viti ku qëndrova jashtë fushës së lojës i dëmtuar dhe tani po pres me padurim për të bërë sa më mirë. Kam punuar shumë që ky të jetë viti i duhur për mua.

Nga Reali u largua Bejl dhe nuk erdhi asnjë. E keni besimin e Zidanit?

Gjithmonë e kam pasur. Tani duhet t'i tregoj gjërat në fushën e lojës. Ky është qëllimi im. E përsëris që këtë vit jam i motivuar.

Vërtet nuk e keni problem që Reali s'bëri blerje?

Është folur shumë për këtë temë, por mendoj se kemi organikën më të mirë në botë. Të gjithë mund të luajmë dhe jemi të gatshëm për të dhënë maksimumin. Kalendari është shumë i ngjeshur.

Mund të luftojë Sevija dhe Atletiko e Madridit për La Ligën?

Po. Atletiko prej disa vitesh është në garë për titullin kampion, por edhe Sevija ka një trajner të shkëlqyer si Lopetegui. Sigurisht që janë kandidatë për titullin.

Po në Champions cilët janë rivalët për t'u mposhtur?

Gjithmonë kampioni është rivali për t'u mundur. Champions-i është shumë i vështirë dhe kjo gjë i jep më shumë vlerë asaj që ne bëmë në të shkuarën. Skuadrat janë të forta dhe duan të bëjnë gjithçka në fushë. Kemi besim që mund të shkojmë shumë larg.

Pas dëmtimit menduat që mund të mos rikthehesh­it më në fushë?

Unë fillimisht nuk e dija se çfarë dëmtimi ishte dhe i pyesja të gjithë sa do të qëndroja jashtë. Në rastin tim mësova që ishte situata: Shumë vuajtje, por do të rikthehesh shpejt. Që nga dita e parë e mendova kështu.

Cili ishte kujtimi më i keq nga dëmtimi juaj?

Rruga nga ambulanca drejt spitalit. Kisha shumë dhimbje dhe ambulanca ecte shumë shpejt. Unë isha në telefon duke folur me familjen. Ishte moment i vështirë.

A kishte diçka pozitive nga dëmtimi?

Jeta dhe shëndeti merr shumë vlerë. Bëhesh shumë i fortë në aspektin psikologji­k dhe fillon t'i marrësh më seriozisht stërvitjet dhe përgatitje­t. Mendoj se kjo ka qenë gjëja pozitive.

Ndiheni më i fortë se më parë?

Ndihem shumë mirë. Në fillim të sezonit ende nuk e kisha rikuperuar ritmin dhe isha i lehtë. Por punova shumë për t'u rikthyer i fortë dhe tani jam në formë.

Ju shënuat gol kundër Valencias pas 25 sekondash që u rikthyet në fushë.

Ishte çmenduri sepse shënova menjëherë. Në atë moment kujtova 11 muajt ku nuk kisha luajtur futboll dhe kisha shumë emocione. Kujtoja gjithçka: Familjen, mjekët, shokët. Ishte diçka speciale.

Si ishte ndryshimi i numrit të fanellës nga 20 në 11?

Me numrin 20 kam kaluar momente shumë të vështira te Reali dhe doja një tjetër numër. U shfaq numri 11 dhe e mora. Dua që të rritem dhe të fitoj ende shumë në këtë skuadër.

Është e vërtetë që mund të transferoh­eshit te Barcelona?

Po, mund të transferoh­esha, ashtu si në skuadra të tjera. Ka pasur shumë ekipe të tjerë që u interesuan për mua, por kalimi te Reali ishte shumë i shpejtë. Ata treguan interes të madh. Nuk mund ta refuzosh një skuadër të tillë. Tani shpresoj që të fitoj këtu.

Është e vërtetë që Nadal ju rekomandoi te Reali?

Nuk e di, por kështu thonë. Atij i pëlqen futbolli dhe Reali. Xhaxhai i tij është pjesë e drejtuesve të Majorkës dhe ai e ka telefonuar duke i thënë që është një djalosh interesant aty.

Po Liverpuli bëri një ofertë për ju?

Ka pasur shumë klube që bënë oferta për mua, por dëshira ime ishte e qartë. Doja të fitoja në Madrid dhe doja të qëndroja këtu.

Përveç Zidanit, cili ishte idhulli juaj te Reali?

Raul. Ai ka qenë shembulli që duhet të ndiqja. Ishte kapiten, lider dhe bënte të lumtur tifozët.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania