Panorama Sport (Albania)

Drejtori kuqeblu: Dunga është në shitje, ja e vërteta me Gurin

-

Drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, ka dalë dje para mediave për të sqaruar të gjitha çështjet e nxehta të merkatos në klubin kuqeblu, por gjithashtu edhe për të prezantuar afrimin e sulmuesit Albion Avdijaj. Fillimisht kroati u ankua për mënyrën se si është aluduar këtë periudhë me emrat që mund të vijnë te Vllaznia si përforcim. “Nuk është aspak normale një situatë e tillë. Më telefononi, sepse të gjithë e keni numrin tim. Më vjen shumë keq për njerëzit, sepse ka gjëra të pabazuara. Me disa lojtarë, jo vetëm që nuk kemi folur, por nuk ishin në planet tona. Nuk e kuptoj dot se si dalin këto informacio­ne. Ne mendojmë të plotësojmë çdo boshllëk që kanë lënë lojtarët e pakënaqur. Ia kemi liruar rrugën gjithkujt që nuk dëshironte të vazhdonte”, theksoi Djarmati për zhurmën në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, ai sqaroi edhe rikthimin e mundshëm të sulmuesit Sindrit Guri. “Është shkruar edhe për Sindrit Gurin. Ai luan në Belgjikë dhe nuk mund të vijë në Shqipëri të luajë në të tilla kushte”, konfirmoi drejtori sportiv i kuqebluve. Kujtojmë se Guri është pjesë e Ostendes në Belgjikë dhe ashtu siç ndodhi me Bekim Balajn, dëshira e klubit shkodran ka qenë për ta afruar. Mirëpo, paga e lartë e dy sulmuesve dhe fakti që janë nën kontratë e bënte të pamundur afrimin e tyre. Djarmati sqaroi dje edhe çështjen e sulmuesit Ismael Dunga. “Sa i takon Dungës, sot (dje) ai po aplikon për vizën shqiptare. Ka marrë pasaportën keniane dhe po pret të pajiset me vizë tashmë. Në Kenia gjërat funksionoj­në ndryshe. Shpresoj që sa më shpejt ta kemi këtu lojtarin. E ardhmja? Dunga është nën kontratë me klubin, por mund të them se është në shitje. Kush e dëshiron, duhet të paguajë klauzolën e vendosur në kontratë”, ka përfunduar drejtori sportiv. A.URUÇI

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania