Panorama Sport (Albania)

Katër arsyet përse Interi mund të mposhtë Juventusin

-

“Arma” e parë e Kontes mund të jetë “Lula”. Lukaku ka rigjetur ritmin duke hyrë nga minuta e parë kundër Romës dhe bashkëpuni­mi me Lautaron nuk prodhoi vetëm për pak centimetra. Pas 111 golave të sezonit të shkuar (rekord në shtëpinë zikaltër prej vitit 1930), belgu dhe argjentina­si vazhdojnë të fluturojnë me një ritëm jashtëtokë­sorësh: 12 golat e të parit dhe 9 të të dytit vlejnë titullin simbolik të dyshes më të mirë të kampionati­t, me 2 gola më shumë sesa Ronaldo-morata (19 gola). Me ata të dy përpara, Konte mund të flejë i qetë. Duke qenë se mbrojtja e Juves duhet të bëjë edhe pa De Ligtin, forca e “Lula”-s mund të rezultojë vendimtare për ta anuar peshoren nga ana e Interit.

ASI NËN MËNGË – Për momentin, faktori më vendimtar në skuadrën e Kontes është forma e jashtëzako­nshme që po kalon Hakimi. Shtysa dhe shkathtësi­a e marokenit në krah të djathtë po rezultojnë vendimtare, duke sjellë edhe rezultate konkrete: për saktësi, 6 gola dhe 4 asiste, shifra sulmuesi. Ish-talenti i Realit shënoi thuajse të njëjtën sasi golash gjatë gjithë sezonit të shkuar në Bundesligë (7) me fanellën e Dortmundit, por me 1/3-ën e prezencave (17 me 54 ndeshje). Dhe përveç momentit pozitiv të Hakimit, duhet marrë parasysh edhe emergjenca e Pirlos në atë korsi ku do të kalojë marokeni, në krahun ku Interi mund të gjejë një autostradë të vërtetë për të peshkuar “Lula”-n ose ku Hakimi mund të provojë direkt goditjen për të thelluar rekordin e tij personal.

MURI – Mes lajmeve më ngushëllue­se për Konten është edhe rikthimi i Shkriniari­t në nivelet e zakonshme të shkëlqimit. Sllovaku është rishfaqur pasi e mbylli sezonin e shkuar në limite. Prej një muaji ka rifituar fanellën e titullarit, madje ka gjetur edhe golin pas 1000 ditësh. 25-vjeçari shtrëngoi dhëmbët pasi ishte një hap nga lamtumira dhe tani po korr frytet e impenjimit dhe sakrificës për t’u ambientuar në mbrojtjen me tre vetë, markë e fabrikës “Konte”. Sot Shkriniar ka rifituar besim dhe siguri, armë vendimtare për të provuar që të frenojë grabitqari­n Ronaldo.

NEVOJA DHE SHANSI – Pastaj është uria, ajo që këtij Interi nuk mund t’i mungojë kurrsesi pas humbjes me Sampdorian dhe barazimit me Romën, ku skuadra e Kontes flaku pesë pikë shumë të rëndësishm­e, më shumë për mungesë merite të vetes sesa meritë të tjetërkujt. Me një Milan që nuk duket i predispozu­ar që të ngadalësoj­ë, rikthimi te fitorja është gati një detyrim, edhe për moralin e skuadrës. Për zikaltrit është edhe momenti për të nisur një kthesë, e cila ndonëse mund të mos jetë shqetësues­e, është treguese gjithsesi: në përballjet me të parat e klasës, deri tani Interi ka festuar vetëm një herë, më 16 dhjetor kundër Napolit (të mundur 1-0). Kundër Atalantës, Romës dhe Lacios, kanë ardhur barazime, ndërsa me Milanin humbja. Kundër Juventusit është rasti për të treguar më në fund stofin e një ekipi pretendent në përballjet direkte, që nuk është skuadër e madhe vetëm për të mundur “të voglat”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania