Panorama Sport (Albania)

Mateus mahnitet nga Halandi: Një robot

-

“Erling Haland është një makineri goli, një robot”, shprehet Lotar Mateus për “Bild” në lidhje me yllin e skuadrës së Borusias së Dortmundit. Me 19 gola në 16 ndeshje, norvegjezi shënoi edhe dopietë në fitoren 3-1 të skuadrës së tij në Lajpcig. “Mënyra se si shpalos dëshirën e tij, potenciali­n dhe pasionin për lojën është e mahnitshme. Edhe teknikisht po tregon se është një lojtar i kompletuar”, tha ish-kapiteni i Bajernit. Verdhezinj­të e ndien shumë mungesën e tij në muajin dhjetor. Kujtojmë që Haland u dëmtua në ndeshjen e Championsi­t ndaj Lacios duke munguar për gati një muaj në fushat e blerta. Kartoni i tij vlerësohej me 100 milionë euro, por tani për shkak të krizës së krijuar nga pandemia, Haland vlen jo më shumë se 60 milionë. Ai hyn te 10 lojtarët më të shtrenjtë në botë. Mateus vazhdon me lëvdatat për yllin norvegjez duke thënë se ai është simboli i ri i klubit verdhezi. “Haland është fytyra e Borusias në këtë sezon. Mendoj që ai ende nuk ka shpalosur të gjithë potenciali­n e tij, është ende duke mësuar dhe kjo është e frikshme. Erling jeton për futbollin dhe kjo është diçka që shumë pak lojtarë e bëjnë. Ai është një robot që jeton për të luajtur, një ciklon që përpin gjithçka. Dhe të mos harrojmë që është vetëm 20 vjeç”. Haland ka një kontratë me klubin gjerman e cila skadon në vitin 2024. Edhe pse shumë klube të mëdha duan ta bindin atë për ta marrë në skuadrën e tyre, Haland i ka premtuar besnikëri skuadrës së Borusias që e bleu në merkaton e janarit të kaluar nga Salcburgu. “Jam i bindur që një ditë do të luajë për një skuadër më të madhe. Shpresoj që Borusia dhe Bundesliga ta shijojnë edhe për disa vite të tjera”, u shpreh Lotar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania