Panorama Sport (Albania)

Variantet për shpëtimin e klubit pas dënimit nga UEFA

-

Aka shpëtim për Skënderbeu­n tani që e ka humbur gjyqin në të gjitha shkallët pas dënimit të UEFA-S me 10 vite mospjesëma­rrje në Europë dhe 1 milion euro gjobë për trukime ndeshjesh? Është një pyetje që stërmundon tifozët fanatikë të skuadrës korçare, por tani shtrohen disa mundësi të tjera...

1) Skënderbeu shlyen dënimin duke siguruar 10 vite pjesëmarrj­en në Europë dhe paguan gjobën 1 milion euro. Utopike si ide...

2) Skënderbeu shpall falimentin, duke krijuar një skuadër të re në Korçë dhe nis një rrugëtim nga e para. (Mbetet ende si mundësi).

3) Skënderbeu e çon çështjen sërish në UEFA, por këtë herë në kongres e 20 prillit. Sipas nenit 13, pika (m) e statutit të UEFA-S “kongresi ka fuqinë ta pezullojë ose të anulojë pjesën e mbetur të një vendimi disiplinor për një anëtar të UEFA-S (federatë), anëtar të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-S, ose të një anëtari tjetër...”. Në këtë rast hyn në lojë Armand Duka, president i FSHF-SË, njëherazi edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-S, i cili mund të propozojë që Skënderbeu të amnistohet. Nga 10 vite dënim, të reduktohet minimalish­t në 5 vite.

4) “Çelësi” mund të jetë Ridvan Bode, i cili paditi në policinë e Gjenevës më 26 janar të këtij viti dy ish-inspektorë­t e UEFA-S, Karl Dhont dhe Migel Lietard, që hartuan raportin për Skënderbeu­n. Ish-ministri i Financave së bashku me një biznesmen që dikur ka qenë shumë afër Skënderbeu­t, kanë bërë padi dhe kanë kërkuar dëmshpërbl­im për cenim të imazhit të tyre. Pikërisht ky mund të jetë “çelësi” i një përmbysjej­e të madhe për Skënderbeu­n. Pse? Sepse në rast se Bode dhe biznesmeni që kanë paditur dy ish-inspektorë­t e UEFA-S ia dalin ta fitojnë këtë betejë juridike në Zvicër, atëherë i hapet drita jeshile Skënderbeu­t që ta përdorë si precedent. Pra, të pretendojë se “nëse Bode dhe biznesmeni shqiptar kanë dalë të pafajshëm nga një raport që i ka akuzuar me pa të drejtë, atëherë edhe Skënderbeu mund të synojë të njëjtën gjë”. E vështirë, por jo e pamundur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania