Panorama Sport (Albania)

“Dua trofe në Shkodër, goli im mund të vijë... sot”

-

Salim Cise, sulmuesi afrikan i Vllaznisë, ishte titullar në Laç në ndeshjen e kampionati­t dhe me shumë gjasa pritet të jetë nga minuta e parë edhe në takimin e Kupës në “Loro Boriçi”. Sulmuesi dje ka qenë përkrah teknikut Brdariç në konferencë për shtyp në prag të duelit me kurbinasit, këtë herë për gjysmëfina­len e Kupës së Shqipërisë. Ai ka folur për eksperienc­ën e tij pas tre muajve me kuqeblutë. “Është një eksperienc­ë e re për mua, kam luajtur në disa liga të ndryshme, si në Greqi, Rumani e Portugali. Jam këtu prej gati tre muajsh dhe nuk është keq. Unë motivohem nga kjo eksperienc­ë”, tha fillimisht Cise. FORMACIONI - Sulmuesi ishte titullar në sfidën e fundit me Laçin në kampionat, gjë e cila me të gjitha gjasat do të përsëritet edhe sot në Kupë. I pyetur për këtë gjë, ai u shpreh: “Jam i lumtur që trajneri po më beson, ai po na mbështet në stërvitje. Minutat më motivojnë, sado të jenë ato. Unë gjithmonë mundohem të jap më të mirën time në fushë”. GOLAT DHE TITULLI - Cise dëshiron shumë të ngrejë trofe me Vllazninë, por edhe të shënojë gola. Deri më tani akoma nuk ka realizuar dot, por nuk duhet harruar se më së shumti është futur si zëvendësue­s. Megjithatë, shpresohet që ky të jetë takimi i tij. Daljet e lojtarëve të sulmit para mediave një ditë para ndeshjes u kanë sjellë fat atyre, duke arritur të shënojnë. Të njëjtën gjë shpreson edhe Salim Cise. “Një trofe te Vllaznia do të ishte perfekt. Ne e kemi këtë mundësi dhe do të mundohemi. Çdo lojtar ëndërron të fitojë trofe. Unë dua të shënoj gola si sulmues që jam, por së pari dua të ndihmoj ekipin. Goli do të vijë. A do të shënoj nesër? Nuk mund të them se do të shënoj, por do të luftoj që ta bëj diçka të tillë. Nuk varet nga unë, por si besimtar shpresoj të realizoj. Objektivi im ai është. Shpresoj të shënoj nëse luaj”, ka përfunduar sulmuesi Salim Cisse. ADMIR URUÇI

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania