Panorama Sport (Albania)

“Nuk e prisnim këtë avantazh, titulli të vijë sa më parë”

-

Njëmbëdhje­të fitore radhazi për Interin e Antonio Konotes, që sot ndodhet vetëm 13 pikë larg titullit. Pas suksesit brenda fushe kundër Kaljarit, zikaltrit do t’i bëjnë vizitë Napolit të Xhenaro Gatuzos, i cili pas një periudhe në rënie duket se ka rigjetur formën pavarësish­t humbjes kundër Juventusit. Disa ditë përpara supersfidë­s, për “Sky Sport” ka folur Milan Shkriniar: “Me siguri më përpara nuk do të kishim menduar të kishim këtë avantazh tetë ndeshje nga fundi, por punojmë gjithmonë e më tepër për të arritur sa më lart. Stërvitemi çdo ditë më gëzim dhe qëndrim, e dimë që mund të përmirësoh­emi dhe bëjmë gjithmonë më mirë”. Disa fjalë edhe për Eriksenin, i cili duket të ketë gjetur lokacionin e tij në skuadër: “Gjuha është thelbësore për t’u kuptuar me shokët, Kristiani tani kupton thuajse gjithçka. E dinim që ishte i fortë, kishte nevojë për pak kohë, por po bën shumë mirë. Na jep një dorë të madhe në fazën sulmuese, por edhe në atë mbrojtëse”.

Ka ndonjë fjalë që trajneri ju kërkon të mos e thoni?

Jo, na thotë çdo ditë që duhet të punojmë, të bëjmë çdo stërvitje pa parë se sa javë mungojnë. Duhet vetëm të punojmë në secilën nga stërvitjet duke menduar për kundërshta­rin që na pret pa bërë llogari.

Lidhur me lojën e skuadrës...

Nuk mbrojmë vetëm ne të tre në prapavijë, por e gjithë skuadra. Mund të shihet edhe nga ndeshjet e fundit që jemi mbrojtur të gjithë më të tërhequr, shumë kompaktë, kundërshta­rët nuk kanë goditur thuajse asnjëherë në portë. Meritë edhe e sulmuesve dhe mesfushorë­ve. Faza jonë mbrojtëse nis nga sulmuesit dhe faza sulmuese nga portieri. E rëndësishm­e është të dimë që përpara kemi lojtarë të fortë që mbajnë topin dhe mund të shënojnë në kundërsulm, me goditje nga jashtë apo brenda zonës. Duhet t’u bëj kompliment­e për punën që po kryejnë në fazën mbrojtëse.

Dalja nga Kupat?

Eliminimi nga Liga e Kampioneve na ka dhënë të gjithëve pak më tepër forcë, na ka lejuar të bashkohemi akoma më tepër. Tani mbledhim frytet e një pune që kemi bërë në një vit e gjysmë. Ndihemi të lumtur dhe krenarë dhe duam të vazhdojmë kështu.

Titulli është një fjalë që mund të përmendet?

Siç thashë, shikojmë ndeshje pas ndeshjeje. Sa më shpejt të vijë, aq më mirë është.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania