Panorama Sport (Albania)

Anjeli prezanton shefat e rinj dhe i çon “SMS” Ceferinit

-

Në shtëpinë e Juves duket se është fillimi i një epoke të re. Presidenti Andrea Anjeli prezantoi dje në një konferencë për shtyp, organigram­ën e re të klubit bardhezi. Presidenti juventin prezantoi para mediave zyrtarisht Federiko Kerubinin, i cili do të jetë administra­tori i ri i deleguar, duke zëvendësua­r Paratiçin e larguar drejt Totenhemit. Gjithashtu, gjatë konferencë­s u zyrtarizua dhe Mauricio Arrivabene, që do të jetë përgjegjës i sektorit sportiv të Juventusit, me ish-ferraristi­n që është një njohje e vjetër e familjes Anjeli, prej faktit se ka qenë pjesë e “Kokëkuqes” që nga viti 1998 duke qenë një nga protagonis­tët e fitoreve në Formulën 1. I pyetur për çështjen “Ronaldo”, Kerubini dha opinionin e tij për sa i përket të ardhmes së portugezit. “Jam besimplotë se do të qëndrojë, është një lojtar i madh që ka bërë shumë mirë kudo që ka shkuar. Ronaldo është pika kryesore e projektit tonë. Me të jemi një skuadër kompetitiv­e”, deklaroi ai. I pyetur për krahasimet me Paratiçin ai shtoi: “Çfarë do të merrja nga Paratiçi? Asgjë. Kisha fatin që të vija me të te ky klub që në vitin 2012, kam mësuar shumë prej tij. Ai është një njeri shumë i zoti”.

ÇËSHTJA “DIBALA”

Gjatë konferencë­s ishte i pranishëm edhe zv.presidenti bardhezi Pavel Nedved, të cilin gazetarët e pyetën për çështjen e rinovimit me Dibalën. “Kerubini është duke biseduar me të, ne jemi të përqendrua­r për të përforcuar skuadrën. Do të shohim në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë me Paulon. Ai është një lojtar i rëndësishë­m për projektin tonë sportiv, kam besim se do të arrijmë në një marrëveshj­e”, përfundoi deklaratën e tij ish-mesfushori.

ANJELI-CEFERIN

Andrea Anjeli u shpreh i lumtur për rezultatet e skuadrës në këto vitet e fundit, duke vënë në dukje se si klubi i tij pas “Calciopoli”t ka arritur të kthehet në majat e futbollit italian. Ai u fokusua më shumë tek arritjet për sa i përket anës ekonomike të klubit, me “Zonjën e Vjetër”, që sipas tij, ka njohur vetëm rritje për sa u përket të ardhurave nga të drejtat televizive apo sponsorët e ndryshëm që janë afruar në klubin e Juventusit. I biri i të ndjerit Umberto Anjeli nuk harroi të shprehej në lidhje me Ceferin, duke theksuar respektin që ka për të. “Me të kam pasur gjithmonë një marrëdhëni­e të mirë dhe e respektoj shumë, ai na ka pranuar në Champions Ligën e sezonit të ardhshëm”, theksoi Anjeli, i cili shtoi: “Ka dëshirë për dialog nga të ana jonë, por duhet të theksoj se ne nuk u trembemi kërcënimev­e të UEFA-S. Besojmë se nisma jonë në fund do të japë rezultatet që ne dëshirojmë. Suksesi i vërtetë do të jetë kur të dyja palët të ulen për të dialoguar”. Juventusi sezonin e ri synon të fitojë Ligën e Kampioneve, trofe që mungon nga viti 1996.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania