Panorama Sport (Albania)

Boshnjakët në kor: Vllaznia e fortë, por mund ta kalojmë

Karaçiç: E kam parë kundërshta­rin, sfidë e madhe për ne

-

Në prag të ndeshjes së parë të raundit të parë të kualifikim­eve për UEFA Europa Konferencë Ligë midis Shiroki Brijeg dhe Vllaznisë, nga skuadra boshnjake kanë dalë dje në konferencë për shtyp trajneri Toni Karaçiç, kapiteni Mato Staniç si dhe sulmuesi i krahut, Alen Jurilj. Sipas pjesëtarëv­e të Shirokit, e rëndësishm­e në duelin me Vllazninë nuk është vetëm ndeshja e parë që luajnë në shtëpi, por e përgjithsh­mja e dy sfidave, ku ata kërkojnë të jenë fitues dhe të kualifikoh­en duke vijuar në turin e dytë.

TRAJNERI

Toni Karaçiç, timonieri i skuadrës boshnjake, në lidhje me duelin me Vllazninë u shpreh: “Vijmë në këtë takim pas dy javësh punë cilësore dhe përgatitje për sezonin e ri. Besoj se kemi bërë gjithçka siç duhet, jemi qetësuar gjatë pushimeve dhe do ta mirëpresim ndeshjen plotësisht të gatshëm. Kjo ndeshje do të jetë një sfidë e madhe për ne, por shpresoj që përfundimi­sht të kemi një rezultat pozitiv. Sidoqoftë, duhet theksuar se nesër (sot) nuk do të zgjidhet asgjë, pasi e rëndësishm­e është që të dalim si fitues totalë nga dy ndeshjet. Ky është qëllimi ynë ndaj Vllaznisë. Kam shkuar në Podgoricë dhe e kam parë kundërshta­rin në miqësore dhe e kam një pasqyrë të qartë rreth Vllaznisë. Nga miqësoret që kanë luajtur, është thuajse i njëjti kundërshta­r si në sezonin e shkuar. Atyre u janë larguar disa lojtarë, por kanë një ekip shumë të mirë, si dhe një trajner të mirë. Pres një ndeshje shumë interesant­e, domethënë të gjithë duelin. Unë jam shumë i kënaqur me grupin që kam, pasi është ruajtur shtylla e skuadrës së sezonit të fundit. Të gjithë këta lojtarë tani janë më mirë sesa ishin në pjesën e fundit të sezonit të shkuar. Mendoj se jemi më të koordinuar dhe kompaktë, progresi i të gjithëve në zhvillimin e lojës është i dukshëm. Lojtarëve që na janë bashkuar do t’u duhet pak kohë për t’u përshtatur, por përsëri mendoj se ne e kemi zgjeruar listën dhe sa më shumë kalon koha, ata duken edhe më mirë”.

KAPITENI

Mato Staniç, kapiteni i Shirokit, gjithashtu pajtohet me mendimin e trajnerit sa u përket dy sfidave me shkodranët. “Kemi pasur kohën e mjaftueshm­e për t’u përgatitur. Ne kemi punuar intensivis­ht, dy stërvitje çdo ditë dhe mendoj se kjo mjafton. Ne e kemi studiuar mirë kundërshta­rin tonë dhe e dimë çfarë duhet të bëjmë. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Unë personalis­ht kam parë disa ndeshje të Vllaznisë.

Ata kanë ekip të një cilësie të lartë, pasi luajnë në Europë dhe ishin pothuajse kampionë në sezonin e fundit. Nuk besoj se do të ketë shumë ndryshime, sepse trajneri mbetet i njëjti. Vllaznia nuk është një kundërshta­rë i lehtë për t’u kaluar, por besoj se do t’ia arrijmë”, u shpreh kapiteni Staniç.

SULMUESI

Alen Jurilj theksoi se skuadra po e pret me entuziazëm këtë takim me shpresën për ta kaluar

me sukses Vllazninë. “Ne i dimë të metat dhe përparësit­ë e tyre. Unë mendoj se përballë kemi një kundërshta­r shumë të fortë, por që mund ta kalojmë. Shpresoj që tifozët të vijnë sa më shumë në stadium dhe të na mbështesin pasi kam besim që Shiroki Brijeg do të prezantojë denjësisht Bosnjë-hercegovin­ën në Europë”, tha sulmuesi Alen Jurilj para mediave një ditë para ndeshjes me Vllazninë në turin e parë të Konferencë Ligës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania