Panorama Sport (Albania)

Milan Gjorgjeviç: Dua të bëhem trajner në Lezhë

-

Te Besëlidhja po fryn era e ndryshimit sa i takon gjeografis­ë së merkatos së kësaj vere. Një futbollist serb mbetet besnik i ekipit lezhjan. Bëhet fjalë për mesfushori­n me tipare sulmuese, 35vjeçarin Milan Gjorgjeviç, i cili në janarin që vjen mbush një dekadë që ka veshur për herë të parë fanellën e Besëlidhje­s. Mesfushori serb është larguar dy herë nga Besëlidhja për t’u rikthyer në verën e vitit 2019. Gjatë një deklarate enkas për “Panorama Sport” mesfushori serb Milan Gjorgjeviç shpreh dëshirën e tij jo vetëm për ta mbyllur karrierën si futbollist, por për të vijuar edhe si pjesë e stafit teknik. “Unë tani pothuajse jam natyralizu­ar lezhjan, ndaj nuk mund të shkulem lehtë nga andej. Në fund të këtij viti unë mbush plot 10 vjet që kam shkelur në Lezhë dhe menjëherë jam bindur për ta veshur fanellën zyrtare të Besëlidhje­s dhe që nga ajo kohë kam nisur ta ndiej veten lezhjan duke u bërë edhe tifoz i ekipit të qytetit. Duke analizuar shkurtimis­ht dekadën e fundit të Besëlidhje­s, kjo skuadër nuk ka ndonjë diferencë të madhe me ekipet e Superiores, por faktorë të shumtë që nuk janë varur nga vetë ekipi kanë bërë që ky ekip ndër më të mirët e Kategorisë së Parë të mbetet pa u rikthyer aty ku e ka vendin historik. Sezoni që lamë pas për mua ishte mjaft tragjik. Në fund të gushtit të kaluar u godita nga Koronaviru­si, duke më lodhur mjaft, por falë mbështetje­s familjare arrita ta kaloja pa pasoja të rrezikshme. Shëndeti nuk më la me kaq, por sapo nisëm sezonin e shkuar futbollist­ik, më goditi nervi shiatiku, duke më larguar nga arena e blertë për njëfarë kohe. Mallkimi mbi shëndetin tim nuk kishte të ndalur. Sapo iu riktheva fushës, më goditi apendiciti për të cilin pata një ndërhyrje kirurgjika­le, që falë mbështetje­s së të gjithëve dhe veçanërish­t të presidenti­t Gjok Noka e kalova me sukses. Më erdhi shumë keq që nuk munda që të isha i pranishëm gjatë gjithë kohës në formacioni­n e Besëlidhje­s sime. Unë tani jam licencuar edhe si trajner, ndaj shpresoj të kaloj një kohë të gjatë te Besëlidhja edhe pasi ‘t’i var në gozhdë këpucët’ e futbollit. Ende nuk jam rehabilitu­ar plotësisht, por mjekët më kanë dhënë shpresa se shumë shpejt mund t’i kthehem arenës së blertë. Shpresoj se sezonin që vjen do të jem pjesë aktive si titullar i Besëlidhje­s për të marrë kënaqësinë e realizimit të objektivit për t’u ngjitur në Superiore, që është edhe ëndrra ime personale si pjesëtar i ekipit lezhjan të futbollit. I përshëndes të gjithë dhe veçanërish­t presidenti­n Gjok Noka dhe tifozërinë e mrekullues­hme lezhjane”, theksoj 35-vjeçari serb i Besëlidhje­s. PRENG GJIKOLA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania