Panorama Sport (Albania)

Smaçi: Rruga e vetme, kthimi i shpejtë në Superiore

-

Erisildo Smaçi ka festuar 23-vjetorin e lindjes vetëm dy ditë më parë. Mesfushori lezhjan i Apolonisë do të luajë edicionin e tretë për skuadrën fierake, teksa më herët ka veshur edhe fanellën e Shënkollit në Kategorinë e Parë dhe të Laçit në Superiore. Është një nga pikat kyçe të mesfushës, “truri” i lojës së Apolonisë, një lojtar me shpirt luftarak, çka e dëshmojnë dhe 9 kartonë të verdhë gjatë 34 ndeshjeve të kampionati­t të kaluar. Dikur, në vitet e gjimnazit, Smaçi ka qenë kampion shahu, por fusha e futbollit i duket më e vështirë sesa skakiera e shahut. “Futbolli është lojë kolektive, ndërsa shahu lojë individual­e, ‘tet a tet’ me kundërshta­rin, ndaj është më e lehtë”, thotë mesfushori. Gjithsesi, teksa flet për futbollin, ai është i sinqertë dhe nuk e fsheh dëshirën për të luajtur në Superiore, por tregohet edhe profesioni­st në respektimi­n e kontratës me skuadrën fierake. “Në Fier jam ndier si në shtëpinë time dhe më ka ardhur shumë keq që u rrëzuam nga Superiorja. Më ka ardhur keq për qytetin, për klubin dhe për tifozët tanë, por edhe për vete dhe shokët e skuadrës, sepse do të luanim në elitë dhe do të ishte shumë më mirë se në Kategorinë e Parë. E ardhmja ime? Çdo futbollist­i do t’i pëlqente të luante në Superiore, edhe pse ndihem shumë mirë dhe i vlerësuar tek Apolonia, por vitet ecin... Unë jam ende nën kontratë me skuadrën dhe do ta respektoj atë, vendimet e tjera i merr klubi”, tha Smaçi. Për sa i përket sezonit të ri, numri 10 i Apolonisë parashikon një kampionat të vështirë, por beson te suksesi dhe rikthimi në elitë. “Kemi qenë një skuadër përgjithës­isht e re, por mendoj se kemi fituar jo pak eksperienc­ë gjatë kampionati­t të kaluar. Megjithatë, mendoj se duhen disa lojtarë me përvojë, pasi rritet besimi dhe siguria në skuadër, sidomos jashtë fushe. Kampionati në Kategorinë e Parë do të jetë i fortë dhe i vështirë, pasi do të ketë shumë skuadra që do të luftojnë për kreun, por pres dhe besoj se nuk do ta diskutojmë rikthimin në Superiore, madje si kampionë. Nuk ka rrugë tjetër për ne”, shprehet për “Panorama Sport” mesfushori i Apolonisë, Erisildo Smaçi. BUJAR RAMA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania