Panorama Sport (Albania)

Tedi Cara: Gati të surprizojm­ë Bazelin

- VERONIK ISTREFAJ

Sulmuesi i ri i Partizan it, Tedi Cara, e ka nisur këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar 2 gola dhe duke asistuar një tjetër. Në 2 takimet ndaj Sfintulit, 21vjeçari luajti titullar dhe tregoi një formë të mirë. Në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport" Cara foli për shumë tema. Nga besimi që i ka dhënë Daja, deri te kualifikim­i përballë Sfintulit dhe shanset që kanë me Bazelin. Për ndeshjen kundër zviceranëv­e, Cara kërkoi mbështetje­n e tifozëve, pasi sipas tij, do të ketë një surprizë të bukur...

Tedi, urime për kualifikim­in! Si ndiheni që jeni në turin e dytë?

Ndihem shumë i lumtur për këtë kalim turi, ishin dy ndeshje jo të lehta. Bëmë maksimumin dhe më vjen mirë që ja dolëm.

Bëtë dy ndeshje fantastike, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar një asist. Do ta ruajë Cara këtë formë edhe në vazhdimësi?

Për mua është hera e parë që luaj në Kupat e Europës dhe më vjen mirë që ndihmova ekipin të fitonte në të dyja ndeshjet. Edhe në aspektin personal, të arrija ato çfarë doja. Shpresoj të vazhdoj po kështu.

Jeni vetëm 21 vjeç, por Daja ju sheh si titullar. Sa vlerësim është ky fakt për ju?

21 vjeç nuk mendoj se jam shumë i ri, por normalisht që dhe eksperienc­ën nuk e kam ende. Profesor Daja më ka dhënë besim gjithmonë dhe e kam vlerësuar shumë, sepse edhe vjet kam luajtur si titullar në disa ndeshje.

8 gola dhe 2 fitore kundër Sfintulit. A është Partizani i frikshëm, apo kundërshta­ri nuk ishte në nivelin e parashikua­r?

Sfintul ishte një ekip i mirë dhe ne në qoftë se do ta mendonim të lehtë, do ta kishim shumë të vështirë të kualifikoh­eshim, sepse e pamë edhe në fushën e tyre, aty ku lojtarët e Sfintulit e filluan mirë. Por, ne arritëm të qëndronim të përqendrua­r dhe shfrytëzua­m rastet tona.

Në turin e dytë, Bazeli... Mendimi juaj i parë për këtë takim?

Bazeli është një ekip që nuk ka nevojë për fjalë, sepse historia e këtij ekipi flet vetë. Do ta kemi të vështirë, por do të bëjmë maksimumin për t'i mundur.

Lojtarët e rinj në moshë ëndërrojnë për ndeshje të tilla, sa i emocionuar është Cara para kësaj sfide?

Emocion i veçantë, sepse gjithmonë e kam dashur një ndeshje të tillë. Por, besoj se emocionet do të jenë pozitive në atë ndeshje dhe shpresoj të bëj një ndeshje si këto që bëra.

Çfarë ndjesie do të kishit nëse do të shënonit një supergol edhe ndaj Bazelit ashtu si ndaj Sfintulit?

E rëndësishm­e është të bëjmë një paraqitje të mirë, të shoqëruar dhe me rezultat të mirë. Normalisht, në qoftë se do shënoja po ashtu, do të ishte qershia mbi tortë.

Jeni i vetmi shqiptar në sulmin e Partizanit. E keni të vështirë të komunikoni me Lukasin dhe Zhuniorin?

Jo, aspak. Në fushën e lojës merremi vesh shumë mirë me veprimet që bëjmë, sepse kemi pak a shumë të njëjtin stil loje. Këtë gjë e kemi treguar edhe në fushë, që kombinohem­i mirë me njëri-tjetrin.

Edhe sezonin e shkuar keni provuar fanellën e titullarit, ndërsa këtë sezon duket se do të keni më shumë besim. Keni pasur ndonjë bisedë me Dajën në fillim të sezonit?

Profesori më ka thënë gjithmonë që kam besimin e tij dhe këtë ma ka shprehur duke më aktivizuar. Por, çdo gjë ngelet në dorën time, në qoftë se bëj mirë, do kem mundësi sa më shumë.

Çfarë kërkon Daja nga një lojtar i ri, sidomos në repartin e sulmit?

Daja kërkon të hyj në fushë me personalit­et, të bëj ato çfarë di të bëj, duke mos menduar për asgjë tjetër.

Numri 22 mbi shpinë, e keni zgjedhur prej Kakasë apo jo?

Po, është e vërtetë. Numri 22 është numri im i preferuar dhe normalisht e mbaj prej idhullit tim Kaká.

Pse pikërisht legjenda braziliane është idhulli juaj, pasi nuk luani në të njëjtin pozicion?

Nga ai kam filluar të pëlqej futbollin, si dhe nga ai jam frymëzuar dhe mendova të mbaj edhe fanellën me të njëjtin numër.

Pse Cara i mban çorapet e shkurtra, ndryshe nga e gjithë pjesa tjetër e skuadrës?

Thjesht një fiksim i imi. Sezonin e shkuar, në një ndeshje që hyra, i mbajta ashtu dhe tani do t'i mbaj gjithmonë të shkurtra.

Po aktivizohe­ni si sulmues i djathtë, ndryshe nga sezoni i shkuar. Po përshtaten­i?

Luaj ku të ketë nevojë ekipi, përshtatem në të dy krahët e sulmit, nuk e kam aspak problem.

Kush janë miqtë e tuaj më të mirë në klub?

Të gjithë i vlerësoj shumë, janë të gjithë pozitivë. Më kanë ndihmuar që nga dita e parë e deri tani. Nuk mund të veçoj asnjë, sepse për mua janë të gjithë miq të mirë.

Si e kalon Cara kohën e lirë?

Nuk më pëlqen shumë zhurma jashtë, më shumë e kaloj me stërvitje dhe në shtëpi duke mbajtur regjim.

Si janë marrëdhëni­et tuaja me tifozët?

Me tifozët i kam marrëdhëni­et shumë të mira. Ata janë mbështetja jonë gjithmonë edhe i vlerësoj shumë. Kam pasur dëshirë gjithmonë që të luaj një dite me mbështetje­n e tifozëve, që të jetë stadiumi plot. Kjo është ëndrra e çdo futbollist­i.

Sa e vështirë është për një futbollist të ri të dëgjojë kritika?

Kritikat të shoqërojnë gjithmonë në futboll, kështu që jam mësuar. Nuk i kam problem kritikat, të japin mësime gjatë karrierës.

Sa mirë ndiheni kur vlerësohen­i nga analistët dhe nga tifozët?

Në qoftë se kam bërë një punë të mirë, më vjen mirë të vlerësohem dhe sidomos nga klubi, tifozët apo dhe analistët.

Sa shanse ka Partizani kundër Bazelit?

Partizani do të luajë lojën që di të bëjë më mirë. Edhe me Bazelin, shanse kemi sepse dhe Bazeli nuk është ai i para disa viteve. Kështu që do të bëjmë maksimumin për t'u kualifikua­r.

Sa shanse ka Partizani të fitojë të dy trofetë në Shqipëri?

Partizani lufton gjithmonë për të dy trofetë. Shanse kemi, por rruga është e gjatë dhe e vështirë. Shpresoj t'i fitojmë të dyja.

Cili është ekipi më i njohur që ka shfaqur interes për ju?

Për ekipet që kanë shfaqur interes, nuk e di të them, sepse merren drejtuesit për këto gjera. Mua më është dhënë besimi të luaj për Partizanin dhe do të jap maksimumin për këtë fanellë.

Në cilin ekip do të dëshironit të luanit në të ardhmen?

Në të ardhmen, normalisht që do të doja të luaja te një ekip jashtë Shqipërisë. Ndonjë preferencë për momentin, nuk kam, pasi nuk e kam menduar akoma këtë gjë.

Me cilën skuadër është tifoz Cara?

Unë jam tifoz me Realin e Madridit, më pëlqen shumë si skuadër dhe i kam ndjekur që i vogël. Normalisht, edhe fakti që ka luajtur Kaka aty e përforcon dhe më shumë këtë gjë.

Si një lojtar i ri vetë, cilët nga të rinjtë e tjerë nga Partizani mund t'i shohim më shumë në fushë këtë sezon?

Këtë vit jemi bërë disa të rinj dhe besoj se do të luajnë shumë prej tyre, sepse janë lojtarë me cilësi. Do të luajnë ata që do ta meritojnë.

Ka Cara ndonjë mesazh për tifozët para ndeshjes me Bazelin?

Dua që të na mbështesin në këto dy ndeshje me Bazelin, sepse do të ketë një surprizë të bukur...

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania