Panorama Sport (Albania)

Pisha: Titulli më i bukur, ai kundër Partizanit

“I lumtur që janë rikthyer në elitë, duhet të synojnë vetëm kreun”

- FATJON RUPI

Kemi hyrë në javën e derbit me Partiza nin dhe kjo është një sfidë që zgjon shumë kujtime për të gjithë brezat e tifozëve të Dinamos, por edhe të gjithë futbolldas­hësve në vend. Mes shumë derbesh pas viteve ‘90, njëri mund të veçohet nga të tjerët, ai i 17 majit të vitit 2008, kur Dinamoja shpallej kampione për herë të 17-të, duke mundur Partizanin rival direkt. Jo vetëm kaq, blutë arritën të fitonin 2-1 një ndeshje epike, ku për më shumë se gjysmë ore luajtën me 9 lojtarë.

ISH-KAPITENI – E kujton atë ndeshje si më të veçantën në gjithë karrierën e tij si dinamovit ish-kapiteni Arjan Pisha, protagonis­t në fushë në atë kohë. Më shumë se 10 vjet me fanellën blu, ka kaluar situata nga më të bukurat dhe më të vështirat, ka fituar 3 tituj kampionë, 2 nga të cilët me shiritin e kapitenit në krah. Elbasanasi ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë të kampionati­t shqiptar për shumë vite. Ka luajtur edhe me Elbasanin dhe Tiranën, por sigurisht që karriera e tij është e lidhur fort me Dinamon

TITULLI MË I BUKUR – “Titulli më i bukur me Dinamon? Të tre që kam fituar me këtë skuadër kanë historinë e tyre dhe janë shumë të rëndësishë­m, por do të veçoja atë ndaj Partizanit në 2008-ën. E veçoj për mënyrën si shkoi titulli atë sezon, në ndeshje të fundit me rivalin direkt, që ishte Partizani. Është më i bukuri, sepse e kemi fituar atë titull duke qenë me 9 lojtarë në fushë gjatë pjesës së dytë, pasi dy nga lojtarët tanë, Pollozhani dhe Kuli, dolën me karton të kuq. Dhe të fitosh titullin me 9 lojtarë ndaj rivalit nuk ndodh shpesh. Ata kishin një skuadër të fortë atë vit, po festonin kur Dinamoja mbeti me 9 vetë, por në fund festuam ne, duke shtuar edhe një titull në historinë e kësaj skuadre”, thotë Pisha për “Panorama Sport”.

RIKTHIMI – Një lojtar që për shumë vjet ka mbajtur shiritin e kapitenit në krah, kur e sheh Dinamon pas 9 vitesh sërish mes më të mirave, nuk ka si të mos ndihet i lumtur. “Absolutish­t, ndihem shumë mirë që Dinamo më në fund është rikthyer në elitën e futbollit shqiptar. Dinamo jo vetëm që duhet të jetë gjithmonë pjesë e nivelit elitar, por edhe duhet të jetë gjithmonë në garë për vendet e para, siç i takon emrit të kësaj skuadre. Ne që e kemi veshur atë fanellë dhe kemi ndier me shpirt emocionet që të fal ajo, duam ta shohim sa më lart. Uroj që tani të ketë një ecuri sa më të mirë në Superiore”, shprehet më tej Pisha.

JEPINI KOHË EKIPIT! – Nga përvoja e kaluar me fanellën e Dinamos, ishkapiten­i Pisha sugjeron vetëm një gjë: t’i jepet kohës ekipit aktual! “E kam ndjekur pak Dinamon në këto javë të para për shkak të impenjimit me akademinë. Mendimi im është se Dinamos duhet t’i jepet koha e nevojshme, sepse nuk është e lehtë të rikthehesh pas kaq shumë vitesh dhe menjëherë të kërkosh maksimumin. Futbolli nuk është diçka që bëhet me një të rënë të lapsit, aq më tepër kur ke një skuadër që është ndërtuar e gjitha nga e para. Duhet bashkëpuni­mi i të gjithëve: drejtues, staf, lojtarë e tifozë. Këshilla ime miqësore si dinamovit për drejtuesit dhe tifozët e skuadrës është që ta lënë skuadrën të qetë të bëjë punën e saj, që të konsolidoh­et dhe të shprehet sa më mirë në fushë. Në sezonin 2001-2002, kur dolëm kampionë, na u deshën tre vjet që të bënim atë skuadër. Unë nuk uroj që tani Dinamos t’i duhen 3 vjet për titullin, por e kam në sensin që nuk mund të pretendohe­n përnjëherë­sh rezultatet më të mira. Lojtarët duhet të djersijnë dhe të mendojnë vetëm për fushën, të kuptojnë peshën e fanellës që kanë veshur e të mendojnë vetëm për ndeshjen që kanë përpara. Nëse ndodh kjo, rezultatet nuk do të mungojnë. Edhe trajneri duhet lënë të punojë i qetë, sepse është e kollajtë ta kritikosh apo t’i vësh përgjegjës­inë kur diçka nuk shkon. I uroj më të mirat Shkëmbit dhe gjithë kolegëve të tjerë trajnerë”, thekson elbasanasi.

KLIMA BLU – I pyetur nga “Panorama Sport” se çfarë e ka dalluar gjithmonë Dinamon, Pisha përgjigjet: “Unë do të thosha klima brenda skuadrës. Atmosfera brenda grupit të lojtarëve, harmonia mes tyre dhe stafit ka qenë gjithmonë një nga ‘armët’ më të forta të Dinamos. Shpresoj që e njëjta gjë të jetë edhe me skuadrën aktuale”.

KAMPIONATI – “Ky kampionat po tregon se nuk mund të bëhen parashikim­e. Janë ende javët e para dhe ndoshta pas përfundimi­t të fazës së parë mund të krijohet një ide se kush do të jetë realisht pretendent serioz për titullin. Nuk i dihet, mund të ndodhë si me Teutën vjet. Unë uroj që Dinamo të jetë mes pretendent­ëve, por edhe nëse shkon në Kupat e Europës, do të ishte një arritje për të”, përfundon pisha.

 ?? ?? Arjan Pisha kur luante te Dinamo
Arjan Pisha kur luante te Dinamo

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania