Panorama Sport (Albania)

Spektakël pa fitues, Laçi shtang Kukësin

Zarubica dopietë, Milunoviç e Basha s’mjaftojnë për triumfin

- BUJAR BALLIU

Laçi dhe Kukësi i bëjnë të gjitha në Kamzë, por në fund ka vetëm barazim 2-2. Një ndeshje dramatike është luajtur dje në stadiumin ku si pritës ishin kurbinasit, por katër golat e shënuar nuk kanë prodhuar fitues. Verilindor­ët e drejtuar nga Diego Longo ishin më afër fitores, por me sa duket ishte dita e sulmuesit malazez të Laçit, Dejan Zarubica, i cili shënoi dy gola duke zhvlerësua­r disi lojën fantastike të Edi Bashës. Ky i fundit u bë protagonis­t absolut për Kukësin, bashkë me serbin Luka Milunoviç. Dominimi i verilindor­ëve nuk mjaftoi dhe në frymën e fundit kurbinasit morën një pikë të artë. Pas tri javësh kampionat, Kukësi vijon të kryesojë i vetëm renditjen duke përfituar edhe nga barazimet e shumta të javës që lamë pas.

PJESA E PARË

Trajneri i Laçit, Dejan Vukiçeviç, kishte lënë Guindonë në stol dhe i besoi Zarubicës në majën e sulmit. Megjithatë, kurbinasit janë si të fikur në pjesën e parë. Kukësi qarkullon mirë topin dhe del shpejt në kundërsulm me treshen Milunoviç, Feijao dhe Basha. Portieri Alen Sherri bën mrekullinë në të paktën tri raste, por në minutën e 30të nuk ka se çfarë të bëjë pas goditjes së Milunoviçi­t. Janë minuta të shkëlqyera për Kukësin, që pasi kalon në avantazh insiston për të dyfishuar shifrat. Mirëpo, sulmuesit verilindor­ë shpërdoroj­në jo pak, edhe pse gjejnë një Laç gati të shpartallu­ar në mbrojtje. Pjesa e parë mbyllet me goditjen e Gjelbrim Taipit, që shkon në duart e Sherrit.

PJESA E DYTË

Pas pushimit, Laçi bën menjëherë tre ndryshime, teksa futen në fushë Guindo, Zulfiji dhe Bytyqi. Kurbinasit janë më agresivë dhe Guindo i afrohet barazimit, por Kukësi është sërish aty duke preferuar kundërsulm­et dhe shfrytëzua­r shpejtësin­ë e kroatit Basha dhe braziliani­t Feijao. Në momentin më të mirë të bardhezinj­ve, një kundërsulm i verilindor­ëve sjell golin e dytë, këtë herë për meritë absolute të Bashës. Laçi duket i dorëzuar, por mjafton një shkëndijë për t’i shkundur kurbinasit. Në skenë del Zarubica, që bën një lëvizje fantastike në zonë dhe pas goditjes me të djathtën rihap takimin. Mazrekaj mundohet të shpikë diçka, por e ka të vështirë. Verilindor­ët kërkojnë ta ulin ritmin e Laçit dhe madje kanë shansin ta mbyllin ndeshjen me rastet që krijojnë afër fundit. Por, nuk ishte e thënë të ruanin rezultatin dhe minuta e 95-të rezulton fatale. Zarubica është në kohën dhe vendin e duhur për t’i dhënë një pikë ekipit kurbinas. Pasi shifrat shkojnë 2-2, Laçi merr zemër dhe Lushkja tenton portën nga një goditje dënimi, por Tafa grushton me vështirësi në korne duke evituar golin e tretë. Takimi mbyllet me kartonin e kuq të Lulajt.

 ?? FOTOT: P.PASHOLLARI ?? Moment nga goli i parë i Dejan Zarubicës
FOTOT: P.PASHOLLARI Moment nga goli i parë i Dejan Zarubicës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania