Panorama Sport (Albania)

Tafili: Zhgënjim, dhuruam barazimin me Korabin

“Duhet ta kishim mbyllur ndeshjen ndaj një ekipi që mbrohej”

- FERIZ FERIZAJ

Do të kishte dashur që goli i tij të vlente 3 pikë dhe besoi se ky objektiv u realizua, por fundi ishte një zhgënjim i madh. Këtë peng ka Alsid Tafili pas ndeshjes me Korabin, që i hoqi fitoren nga duart. “Kushdo që shënon gol gëzohet aq më shumë që shënova herët, e besova deri në fund se goli im kishte vlerën e 3 pikëve. Nuk ndodhi ashtu dhe vërtet pata një zhgënjim të madh pas ndeshjes”, kështu e nisi fjalën e tij mesfushori për “Panorama Sport”.

BARAZIMI

Duke analizuar atë çfarë ndodhi gjatë 94 minutave, shkodrani as që e kishte menduar një barazim të tillë. “Luajtëm mjaft qartë dhe ishim kreativë, duke pasur balanca në çdo repart. Sulmuesit e Korabit gjatë 45 minutave të para ishin thjesht figurantë në fushë... Krijuam raste ideale shënimi dhe fatkeqësis­ht nuk është hera e parë që i shpërdoroj­më. Shihni kronikën e do të bindeni se çfarë mundësish kishim. Nisëm po me atë dëshirë pjesën e dytë dhe Korabi luajti vetëm 15 minuta përpara, pastaj falë presionit e frikës sonë, u mbyll prapa. Nga fundi i takimit vërtet patëm një tërheqje, por me këtë taktikë, duke besuar kundërsulm­in, ia dolëm mjaft mirë. Besa i ka kualitetet në sulm si Canka ashtu edhe Hoxha apo edhe të tjerë gjuajtës si Hoxhaj, Zeqiri e të tjerë. Ajo që kërkohet tashmë është ruajtja e qetësisë në të tilla raste. Kam frikë se duke dominuar në të tria takimet që kemi luajtur, është krijuar ideja se do shënojmë përsëri, pasi rastet do i kemi. Por ja që ligji i pashkruar i futbollit të dënon, nëse ti nuk realizon. Duhet patjetër ta kishim mbyllur ndeshjen që në 45 minutat e para përballë një Korabi që vetëm mbrohej”, u shpreh mesfushori me përvojë.

GABIMI

Tafili e quan fat dhe jo gabim të ekipit pësimin e golit në minutën e fundit. “Pavarësish­t se u ndëshkuam, nuk gjej kritika për prapavijën. Vërtet ishte thjesht fat për Korabin.

Imagjinoni një shtesë 4 minuta ku kundërshta­ri nuk rrezikon për 90 minuta dhe thjesht pritet mbarimi i ndeshjes. Një moment i tillë mund t’i ndodhë kujtdo, por mua më brengos vetëm humbja e 2 pikëve dhe asgjë nga loja jonë. Do ishte vërtet kritike nëse do çalonim në lojë qoftë në minutën e fundit, por e ritheksoj ishte një aksident dhe asgjë më shumë”, shtoi 34-vjeçari.

BURRELI

Kavajasit pas 3 ndeshjesh kanë 5 pikë dhe në fundjavë i pret transferta në Burrel. Shkodrani nuk ka dëshirë të ndalet aty, pasi është ende herët. “Nuk dua të parashikoj asgjë për përballjen e radhës pasi, më besoni, ende e kam mendjen tek ai barazim, që i parë ndryshe, na jep një mësim të madh, se nuk mjafton të dominosh e luash mirë, por t’i zgjidhësh ndeshjet më herët nëse ke kualitete e ne i kemi ato”, përfundoi Tafili.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania