Panorama Sport (Albania)

Endri Vrapi: Sulmi i Partizanit e thyen Dinamon

Analiza e ish-mbrojtësit që ka luajtur për të dyja ekipet

-

Endri Vrapi ka luajtur për të tria skuadrat e kryeqyteti­t: Dinamo, Partizani dhe Tirana. Ish-mbrojtësi i njohur ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, ku ka analizuar derbin e parë të këtij sezoni, Dinamo-partizani. Sipas Vrapit, Partizani ka më shumë shanse për të fituar, si dhe beson shumë te sulmi që kanë “demat”.

Endri, do të përballen dy ish-ekipet tuaja në derbin e parë sezonal të kryeqyteti­t. Dinamo-partizani, si e prisni këtë ndeshje?

Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar. Duke parë që Dinamo është ekip i ri, normalisht që edhe rezultatet që ka arritur, janë të justifikue­shme, pasi është ekip që sapo është ngjitur në elitën e futbollit shqiptar pas 9 vitesh mungesë. Normalisht, te Dinamoja kanë pretendime të mëdha, pasi duan Kupat e Europës. Partizani gjithmonë e nis keq sezonin e ri, e njëjta gjë ka ndodhur edhe këtë edicion. Por në vazhdimësi, e ka rregulluar edhe lojën, edhe rezultatet. Besoj se nuk do të kenë probleme dhe do të nisin të tregojnë potenciali­n e plotë të tyre në ndeshjet e ardhshme.

Mendoni se do të nisë ngjitja e Partizanit që kundër Dinamos?

Dinamo luan nga fillimi për të fituar, por në fund stepet dhe merr barazime ose edhe humbet. Kjo mënyrë loje e Dinamos mendoj se do t’i shkojë për shtat Partizanit, sepse Partizani do ta kërkojë më shumë fitoren sesa Dinamo. Por Dinamo nuk e ka kot epitetin “nëndetësja”, pasi e pret kundërshta­rin me shumë qetësi e më pas e sulmon.

Mendoni se sulmi i Partizanit mund ta fitojë këtë derbi?

Me aq sa kam parë, sulmi i Partizanit është “top”. Dua të flas edhe me emra të

përveçëm, pasi Zhunior është një lojtar i shkëlqyer dhe mendoj se do të jetë shumë i rëndësishë­m për të kuqtë. Ende nuk ka treguar 100% e tij, por është shumë problemati­k për mbrojtjet kundërshta­re. Nuk ka shënuar shumë deri më tani, por do të shënojë gola dhe do të jetë ndër më të mirët në Superiore. Unë besoj më shumë te sulmi i Partizanit se te sulmi i Dinamos. Prandaj, them që Dinamo duhet të jetë shumë e kujdesshme, pasi lojtarët e Partizanit të ndëshkojnë në çdo moment dhe nga çdo pozicion. Keni luajtur derbe me Tiranën e Partizanin dhe dini rëndësinë e këtyre dueleve. Pas 9 vitesh mungesë në Superiore, sa presion do të ketë Dinamo për këtë derbi të parë, por te Partizani?

Presioni është nga të dy krahët. Dinamo ka bërë investime të mëdha dhe kërkon të paktën minimalish­t të jetë në Kupat e Europës. Duke parë që Partizani ka qenë thuajse çdo vit në Europë. Ky sezon do të jetë më i vështirë, pasi janë shtuar skuadrat që do të luftojnë për pozicionet e para. Dinamo ka shumë vite që nuk militon në Superiore dhe normalisht, përgjegjës­ia do të jetë më e madhe te ta, edhe presioni mendoj.

Problemati­ka në Shqipëri, mungesa e stadiumeve... Derbi i parë i sezonit do të luhet në Elbasan. Sa e zbeh ky fakt bukurinë e sfidës?

Normalisht, kur luajnë dy ekipe kryeqyteta­se, është ndryshe ndjesia që ndiejnë tifozët nëpërmjet televizori­t apo nga ndonjë stadium jashtë Tirane. Nuk e ndiejnë adrenalinë­n që të jep derbi në kryeqytet. E gjithë bukuria e derbit është kur çdo tifoz e ndien adrenalinë­n. Mbaj mend kur Dinamo ishte në Superiore, nuk e mbaj mend vitin saktësisht, por Dinamo me 9 vetë në fushë triumfoi kundër Partizanit. Kanë qenë arbitra italianë. I gjithë derbi venitet me mospraninë e shumë tifozëve që nuk janë në kryeqytet. Mund të ketë tifozë në Elbasan, por do të jenë të limituar.

Mund të na thoni një moment që nuk e harroni në derbet tuaja?

Janë nga më të ndryshmet, por derbet më të zjarrta normalisht janë Partizani kundër Tiranës. Dinamo, prej mungesës së gjatë në Superiore, e ka zbehur disi termin derbi. Por derbet më të zjarrta janë ato mes Tiranës dhe Partizanit. Nuk mund të përmend ndonjë moment të veçantë në ndeshjet e mia derbi, pasi kam shumë, si me Tiranën, ashtu dhe me Partizanin.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania