Panorama Sport (Albania)

Tetor i frikshëm, Kukësin e presin ndeshje “bombë”

Muaj ferri, ekipi i Longos nis të dielën turin e “maloreve”

- VLADIMIR MEMA

Ndaj Laçit këtë fund javë ishte "malorja" e parë e vërtetë e Kukësit në kampionat, teksa në fund arritën të merrnin një barazim 2-2, edhe pse ishin në avantazh të dy golave. Një barazim që në fund kishte shijen e humbjes, por gjithsesi fakti që edhe pas javës së tretë janë në vendin e parë, e ka zbutur disi këtë rezultat. Para kësaj ndeshjeje, verilindor­ët vinin pas dy fitoreve në start ndaj ekipeve që në letër nuk kanë objektiva madhorë, siç ishin Egnatia dhe Kastrioti, por kampionati i vërtetë duket se për ta nis në muajin... tetor. Thuhet kështu, pasi verilindor­ët i pret një muaj "ferri" duke parë edhe kalendarin që do të kenë pasi i janë rezervuar 4 ndeshje të vështira.

KALENDARI - Prova e parë në muajin tetor do të jetë pikërisht ndaj kampionëve në fuqi të vendit, Teuta, e cila edhe këtë sezon ka hyrë me petkun e një skuadre që do të synojë të mbrojë titullin. Ndeshja do të luhet të dielën e 3 tetorit në "Elbasan Arena" dhe mbetet për t'u parë nëse paraqitjet e Kukësit në javët e para kanë qenë një rastësi apo do të dominojë edhe ndaj durrsakëve. Nuk mbaron me kaq, teksa pas pushimeve për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, Kukësi do të rikthehet sërish në fushë, kësaj here përballë Partizanit. Një tjetër ndeshje "zjarr" duke parë edhe investimet e të kuqve në këtë merkato dhe presionin e tyre për t'iu afruar sa më shumë kreut të klasifikim­it. Pas tyre, Kukësi do të ndeshet me Vllazninë. Përballja është programuar për t'u luajtur më 23 tetor dhe nëse parashikim­et e drejtuesve sa i përket stadiumit "Zeqir Ymeri" do të dalin, atëherë kjo ndeshje do të luhet në Kukës dhe do të ishte një motiv më shumë për të besuarit e Longos që të synojnë fitoren. Gjithsesi, mbetet e gjitha për t'u parë edhe sa i përket stadiumit sepse jo shpesh parashikim­et sa i përket punimeve mund të dalin, por fakti që luhet tetë ditë pas afatit përfundimt­ar (15 tetor), gjasat që të jetë gati janë të mëdha. Muaji tetor mbyllet me një përballje me Dinamon, që ka bërë shumë investime dhe ka hyrë me synime të mëdha këtë sezon. Me pak fjalë, në këtë muaj do të shihet realisht se cila është forca e Kukësit dhe pikët që do të marrë ndaj rivalëve direktë. Ndërkohë, Kukësi do ta vuajë këtë fundjavë me Teutën mungesën e mbrojtësit Bruno Lulaj, i cili është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq që mori me Laçin një javë më parë. Gjithashtu i dëmtuar është edhe Kristi Marku, qendërmbro­jtësi tjetër që u afrua në limitin e merkatos.

KUPA - Gjatë muajit tetor Kukësi ka për të luajtur edhe ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, atë ndaj Maliqit. Në ndeshjen e parë skuadrat u ndalën në një barazim pa gola, me verilindor­ët që gjithsesi janë favoritë për të kaluar më tej. Kjo ndeshje është programuar që të luhet më 14 tetor, me stadiumin që është ende i papërcaktu­ar.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania