Panorama Sport (Albania)

Kacbufi, një zbulim për mbrojtjen: Nesër fitojmë ne

- ALDO BUZI

Barazimi me Skënderbeu­n u arkivua dhe tek Egnatia mendojnë vetëm për Kastriotin, ku do të kërkohet të merret fitorja e parë për këtë kampionat. Trajneri Gugash Magani është fokusuar shumë tek ana taktike në seancat e fundit, ndërsa lajm i mirë është se të gjithë lojtarët që kanë pasur probleme fizike, i kanë kaluar dhe janë në dispozicio­n të stafit. Në sfidën e fundit me korçarët ra në sy aktivizimi nga minuta e parë i qendërmbro­jtësit Alesandro Kacbufi. Mbrojtësi kavajas luajti 90 minuta dhe u dallua për ndërhyrjet e sakta. Për "Panorama Sport", Kacbufi u shpreh i kënaqur që është pjesë e rrogozhina­sve. "Më në fund erdhi momenti që të luaj nga minuta e parë me fanellën e Egnatias. Dua të falënderoj stafin që më besoi një fanellë titullari. Emocionet e debutimit në Superiore ishin të mëdha. Mendoj se u përshtata shumë shpejt me lojën e skuadrës. Bashkë me shokët e repartit të mbrojtjes mundësuam që të ishim në lartësinë e duhur. Gjetëm golin në fillim, por kundërshta­ri na kapi në kundërkohë me një episod, për të cilin na vjen keq që shkoi ashtu. Në vijimin e lojës fati nuk ishte me ne, por mendoj se meritonim të fitonim. Tashmë duhet të jemi të qetë ndaj Kastriotit. Besoj se do të arrijmë fitoren e parë", ka thënë fillimisht mbrojtësi 20-vjeçar, i cili në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Besës në Kategorinë e Parë. "Kam bërë zgjedhjen e duhur dhe premtoj më të mirën për Egnatian. Në Rrogozhinë jetojnë me futbollin çdo ditë. Do t'ia dalim të jemi konkurrues pa dyshim këtë kampionat", përfundoi shtatlarti kavajas. Ndërkohë, mbrojtësit Gëzim Krasniqi dhe Mario Teqja, por edhe mesfushori brazilian, Xhekson, të cilët munguan ndaj Skënderbeu­t, pritet të jenë gatshëm për takimin me Kastriotin.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania