Panorama Sport (Albania)

Leva kërcënon: Nuk kam fituar ende gjithçka me Bajernin

“Ka shumë gjëra që mësoj çdo ditë, rrugëtimi vazhdon”

-

Robert Levandovsk­i mori për herë të parë "Këpucën e Artë" në karrierën e tij për 41 golat e shënuar në sezonin 2020-'21. Numri 9 i Bajernit ka shijuar deri tani gjithçka që ka arritur me skuadrën gjermane, edhe pse nuk mjaftohet me kaq. Me dy golat ndaj Dinamos së Kievit ai theu një tjetër rekord në arenën europiane. 33-vjeçari ka fituar 18 ndeshje radhazi me Bajernin në Champions duke thyer rekordin që mbahej nga Manuel Nojer në këtë kompeticio­n. Dygolëshi ndaj ukrainasve e çoi në 119 numrin e rrjetave për sulmuesin e Bajernit në 100 ndeshje me këtë fanellë. Ai ka shënuar 6 gola më shumë se kushdo tjetër në pesë kampionate­t më të mëdha në Europë. Për "Bundesliga.com", polaku tregon se ende nuk i ka fituar të gjitha.

Në intervista­t e fundit jeni shprehur se kërkoni të shkoni në nivelin tjetër. Për cilin nivel bëhet fjalë?

Kjo është një mundësi dhe një shans për mua. Sigurisht që kur flasim për golat, mund të jenë gjithmonë 2 ose 3 më shumë. Por më shumë e kisha në aspektin e të luajturit. Çfarë mund të bëj më mirë? Si mund ta ndihmoj skuadrën më shumë? Cili është pozicioni optimal në momente të caktuara? Këto janë gjëra që nuk mund t'i mësosh kurrë pasi ndryshojnë me kalimin e kohës. Shokët e skuadrës kanë qenë një ndihmë e madhe për mua në çdo aspekt, ndaj e ndiej si detyrim për t'i ndihmuar ata sa më shumë. Ka ende gjëra që duhet t'i përmirësoj.

Çfarë do të thotë për ju të jesh i fortë psikologji­kisht?

Nuk mendoj që kjo është diçka serioze vetëm për futbollist­ët, por për të gjithë njerëzit që merren me sport. Ka të bëjë me pritshmëri­të dhe presionin e madh. Tifozët duan të shohin gjithmonë ndeshje të mira dhe gola, ky është një presion i madh për ne lojtarët. Pavarësish­t çfarë ndodh në ambientin e jashtëm, duhet të mbyllim veshët dhe sytë dhe të bëjmë punën tonë. Gjithmonë duhet t'i shohësh gjërat me pozitivite­t.

Sa influencë ka pasur Ana, bashkëshor­tja juaj, në atë çfarë keni arritur në futboll?

Gjithçka nisi para 10 vitesh me disa gjëra. Nisëm me dieta të vogla dhe gjëra të thjeshta, më pas me një stërvitje specifike, jashtë fushës së stërvitjes. Më pas, mbas dy muajsh nisa të shihja efektet pozitive. Pastaj provonim gjëra të reja ditë për ditë derisa u bë diçka e përditshme. Ishin gjëra të vogla, por në fund rezultuan më të rëndësishm­et. Kur isha 21 vjeç, konsumoja një mëngjes të thjeshtë me qumësht dhe "Cornflakes", kur shkoja në stërvitje ndihesha bosh dhe pa energji. Pastaj mendova të ndryshoja ushqim. Pas kësaj u rrita, më shumë ngarkesa në stërvitje pasi kisha më shumë energji. Si rrjedhojë u përmirësov­a më shumë në fushën e lojës. Asgjë nuk është e rastësishm­e në zhvillimin e një futbollist­i. Ajo që duhet të kesh është vetëm durim, përkushtim dhe besim. Më pas njerëzit e duhur që të mbështesin.

Kur e kuptuat që mund të bëheshit një futbollist i madh?

Kur nisa të luaja për Dortmundin.

Sigurisht që ishin hapat e parë si lojtar profesioni­st, por aty jeta ime ndryshoi përgjithmo­në. Ëndrra ime ishte gjithmonë të luaja në stadiume të mbushura me tifozë dhe në Dortmund është gjithmonë vendi perfekt për ta bërë këtë gjë. Çdo vit mendoja se do të arrija diçka dhe ashtu bëra, edhe pse nuk bëhej fjalë për trofe. Nisa të përmirësoj gjërat e vogla që në fund rezultuan të mëdha.

Cilat janë kujtimet më të bukura në këtë udhëtim të deritanish­ëm në karrierën tuaj?

Ka pasur shumë momente të bukura, por sigurisht që nga më të bukurit është ndeshja ndaj Realit kur shënova katër gola. Më pas ata pesë golat në 9 minuta ndaj Volfsburgu­t, Champions-i me Bajernin dhe rekordi i Gerd Mylerit, ka shumë. Më është dashur të punoj shumë për të arritur këtu ku jam sot, edhe pse ende nuk jam në fundin e rrugëtimit tim që ka nisur që nga fushat me baltë në Poloni deri tek "Allianz Arena".

Në sezonin aktual keni shënuar shtatë gola në 6 javë. Mendoni se do të shkoni prapë 40 gola në fund?

Nuk mund të parashikoj asgjë tani pasi është ende fillimi. Ka shumë ndeshje deri në fund. Gjithçka mund të ndodhë. COVID ishte një pengesë për të gjithë, por unë nuk u ndala ashtu si shumë kolegë të mi, që bënë gjithçka për të mbajtur jetën shoqërore gjallë. Edhe pse në atë luftë heronjtë e vërtetë ishin e janë mjekët dhe infermierë­t. Duhet të kuptosh gjithmonë rëndësinë që ke në atë që bën. Shumë njerëz jetojnë me futbollin dhe ti duhet të jesh gjithmonë në majë për të dhënë maksimumin. Ndaj, duhet të jesh gjithmonë i durueshëm dhe të presësh momentin tënd, gjithmonë duke punuar fort.

Keni edhe dy vite kontratë me Bajernin. Nëse qëndroni më shumë, do të thotë kjo se objektivi është të arrini 365 golat e Gerd Mylerit?

Nuk e di me saktësi se sa gola më duhen për të arritur atë rekord, por jam i bindur që duhen më shumë 30 gola në çdo sezon (qesh). Është një rrugë shumë e gjatë, nëse i afrohem sadopak çdo sezon është një arritje e madhe për mua. Edhe ky sezon do të jetë shumë i gjatë. Çdo javë kërkon impenjim maksimal në kampionat dhe Champions. Pastaj është edhe kombëtarja dhe kualifikim­i në Botëror. Jemi në rrugën e duhur për të bërë mirë edhe aty, kemi shanse reale edhe pse pjesa më e vështirë vjen javës tjetër.

Çfarë ka ndryshuar për ju që nga koha kur ka ardhur Nagelsman?

Nuk është se ka ndryshuar shumë për mua si sulmues. Sigurisht që në aspektin e skuadrës disa gjëra janë ndryshe. Është normale. Julian është një trajner i ri, pasionant dhe serioz në punën e tij, jeton në kohën kur futbolli është modernizua­r shumë. E kuptova menjëherë se çfarë kërkonte nga unë. Kur luan në nivele të tilla, duhet të presësh çdo gjë. Është e rëndësishm­e që trajneri të tregojë atë që mendon për ne dhe atë që pret nga ne (lojtarët). Ai e bëri këtë gjë që në ditën e parë dhe tani ja ku jemi. Të parët në kampionat dhe në Champions. Donim të gjithë të ishim pjesë e skuadrës që ai kishte në mendje dhe duam t'i shkojmë deri në fund kësaj gjëje, të bashkuar.

Çfarë mund t'i lejoni vetes pas gjithë këtyre trofeve?

Koha kur të festoj për të gjithë trofetë e mi është ende larg. Sigurisht që kam fituar jo pak, por nesër është një ditë e re, mund të fitosh diçka tjetër. E ardhmja na rezervon sfida të reja dhe kjo është e bukur për këdo. Sigurisht që personalis­ht mund të ulem në kolltuk dhe të shijoj trofetë që kam fituar, por për momentin nuk kam kohë për ta bërë diçka të tillë pasi sfida e re sapo ka nisur. Rrugëtimi vazhdon.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania