Panorama Sport (Albania)

Lokateli: Kielini më ra me kokë...

“Kur pashë topin në rrjetë fluturova, Xhorxho më bëri një xhungë pas shënimit”

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Alegri kishte qenë i qartë: "Kjo me Torinon është finalja jonë e parë sezonale, një finale për moralin dhe mbi të gjitha për të zbukuruar renditjen tonë të shëmtuar". Dhe në fund, ashtu rezultoi. Juventusi fiton derbin, duke luajtur një pjesë të parë të kujdesshme, ndërsa në të dytën merr ndeshjen në dorë, luan me zgjuarsi dhe në fund, në të 86-ën gjen edhe golin me blerjen e re, atë të shumëkërku­ar: Manuel Lokateli lëshon një predhë të pakapshme nga jashtë zone dhe topi fryn rrjetën, por edhe krenarinë e Alegrit dhe të lojtarëve bardhezinj. Sukses 10 në transfertë dhe një hap tjetër i radhës, këtë herë shumë i madh, duke qenë se ndaj Torinos ishte fitorja e tretë radhazi në Serinë A, e dyta radhazi nëse llogarisim edhe atë me Çelsin, në të cilën nuk pësojnë gol. Kjo Juve cinike dhe vrasëse në momentet decizive të ndeshjes tashmë merr gjithmonë e më shumë formën e asaj krijese që "Konti Maks" i kishte mësuar tifozët në aventurën e parë, por akoma më shumë kërkon ta rikthejë edhe sivjet, për t'iu bashkuar sa më shpejt luftës për titull. Juventusi arrin të kalojë edhe provimin e radhës, por ajo që pëlqen më shumë është se në momentet e saj më të vështira dhe të emergjencë­s së plotë në sulm, skuadra reagoi fort dhe konfirmoi disa fakte të rëndësishm­e: e para se Federiko Kieza, edhe kur nuk shënon, di që të jetë gjithmonë në qendër të aksionit, duke dhuruar edhe asistin për golin e Lokatelit. E dyta, se pikërisht Lokateli ishte lojtari që i duhej kësaj skuadre për të vënë rregull dhe cilësi në mesfushë, por në të njëjtën kohë të rrisë edhe numrat e golave të mesfushës pak efikase të epokave "Sarri" dhe "Pirlo". Dhe e treta, faktin se mbrojtja po arrin që të gjejë atë siguri dhe papërshkue­shmëri, e cila lejon skuadrën që të luajë më e qetë në sulm, pavarësish­t nëse luan dyshja historike Kielini-de Ligt, Bonuçide Ligt si me Çelsin, apo edhe Kielini-de Ligt në derbi. Për më shumë, pauza e kombëtarev­e do t'i japë një kohë të rëndësishm­e trajnerit Alegri që të vazhdojë punën e tij në kantier dhe, pse jo, në këto tri javë të fundit, ndoshta ata që e dhanë Juventusin si të vdekur, tashmë kanë nisur që t'i tremben sërish "Zonjës së Vjetër".

FLET LOKATELI - Te Juventusi është bërë modë që blerjet e verës të realizojnë menjëherë në derbi kundër Torinos, të paktën duke nisur nga 2018-ta me Ronaldon, në 2019-ën realizuan si Kieza e Mekeni, ndërsa në 2020-ën

edhe De Ligt. Gjithsesi, goli i mesfushori­t të shtunën në mbrëmje ishte më i rëndësishm­i kundrejt debutuesve të tjerë bardhezinj, duke parë edhe momentin delikat që vuajti në këtë fillim sezoni skuadra, ndaj mund të kuptohet se sa i lumtur mund të jetë Lokateli: "Kur pashë topin në rrjetë, isha në qiellin e shtatë. Më dukej sikur po fluturoja, pasi më shumë sesa golin dhe fitoren në derbi, e doja një gjë të tillë për të shpërblyer shokët e skuadrës dhe tifozërinë tonë, e cila më priti si një idhull që në fillim dhe ky integrim imi në grup

është pa dyshim meritë e tyre dhe e trajnerit Alegri, - bën hyrjen e tij Lokateli, i cili më pas tregon edhe dhimbjet e festimit. - Pas golit më erdhi edhe Kielini të më përqafonte, por më ka dhënë një goditje të fortë, me kokën e madhe që ka, e cila më ka shkaktuar një xhungë në

ballë, e cila gjithsesi mendoj se ia vlejti. Prandaj, edhe nëse do të dua, për pak ditë nuk do ta harroj këtë gol, duke qenë se gunga në kokë do të dojë pak që të shfryhet (qesh)... Sa e rëndësishm­e ishte kjo fitore? Ndoshta më e rëndësishm­ja deri në këtë pjesë të sezonit, pasi

forcon dhe konfirmon gjërat e mira që kemi bërë si grup në këtë muaj të fundit. Tani do të vijë edhe pauza e kombëtarev­e, ndaj duhet të përveshin mëngët sërish dhe të kthehemi edhe me të karikuar dhe të uritur për ndeshjen me Romën", tha numri 27.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania