Panorama Sport (Albania)

Stankoviç modest: Barela më i mirë, Simo dhe Interi kampionë

-

Dejan Stankoviç u mor shembull nga Nikolo Barela si një nga legjendat zikaltër që e frymëzon mesfushori­n. Serbit pa dyshim nuk mundej veçse t’i bëhej qejfi për këtë dhe nuk vonoi shumë për të marrë reagimin e tij. 43-vjeçari, tashmë trajner i Crvena Zvezdës, në një intervistë për “Tuttomerca­toweb”, foli mbi Interin e tij dhe raportet me personalit­ete të shumta të futbollit.

Si u ndiet për fjalët e Barelës dhe cili prej jush është më i mirë?

Fjalët e Barelës ma kanë bërë qejfin shumë, jua them sinqerisht, por Barela është më i mirë se unë. Si trajner them se do të ishte një ëndërr për këdo që ka në ekip Barelën, që mbulon thuajse çdo cep të fushës. Është një mesfushor që punon pa pushim si në nivel ofensiv dhe në atë difensiv, me një teknikë perfekte dhe shumë i guximshëm taktikisht. Nuk më habit fakti që shokët e tij të skuadrës e shikojnë si lider tek Interi. Si tifoz zikaltër, jam shumë krenar dhe shpresoj që të qëndrojë për shumë vite me këtë fanellë.

Shoku juaj, Inzagi, nuk po e lejon të ndihet mungesa e Antonio Kontes?

Jam shumë i lumtur për të. Ka treguar se është ndër trajnerët më të mirë të kampionati­t me Lacion dhe të njëjtën gjë po bën edhe tek Interi. E ka nisur shumë mirë aventurën e tij dhe po tregon stofin e kampionit që e karakteriz­on. Interi është një skuadër e ndërtuar për të luajtur 3-5-2 dhe Inzagi është njeriu i duhur për t’i dhënë vazhdimësi skuadrës. Pastaj për sa i përket merkatos, Interi ka përforcuar disa reparte dhe ka dobësuar disa të tjerë, pa i hyrë këtu aspektit ekonomik, por të gjithë duhet ta kenë të qartë: Interi im do të luftojë për “Scudetto”-n.

Cilat skuadra i shikoni si rivalet kryesore të Interit për titullin?

Për mendimin tim, Interi do të luftojë me Milanin, Juven dhe Napolin, që e ka nisur sezonin në mënyrë spektakola­re. Spaleti dihet tashmë që i bën skuadrat e tij të luajnë shumë mirë. Pastaj të mos harrojmë dhe Lacion e patriotit tim Milinkoviç-saviç. Sergeji më pëlqen shumë dhe si te Lacio dhe në kombëtare po tregon një siguri që është impresionu­ese. Murinjo i ka transmetua­r gjithë energjinë e tij skuadrës, por për nivelin e futbollit të Zhozesë, duhen bërë blerje të nivelit të lartë. Gjithsesi, Interi ngelet më i forti nga të gjithë dhe pretendent­i kryesor për të shkuar te titulli.

Dhe meqë ra fjala për Murinjon...?

Murinjo ka ndikuar shumë tek unë si njeri dhe si trajner. Do të jetë gjithmonë mik imi dhe shumë special. Jemi në kontakt me anë të grupit të Tripletës në “Whatsapp” dhe komunikojm­ë edhe privatisht. Më ka mësuar të mos dorëzohem kurrë dhe të jap gjithmonë shumë nga vetja. Ka një mënyrë të veçantë të të motivuarit. Disa herë e kam gjetur veten të vendosur me shpatulla pas murit nga Zhoze, literalish­t...

Ç’mund të na zbuloni për marrëdhëni­et me Mihajloviç­in e Ibrën?

Sinisha është më shumë se një shok, jo më kot është kumbari i fëmijëve të mi, është pjesë e familjes sime. Më ka ndihmuar shumë gjatë gjithë rrugëtimit tim dhe e kam pikë referimi. Është si një baba për mua, edhe pse atij nuk i pëlqen të quhet kështu dhe më konsideron vëlla të vogël. Pastaj Ibra është komplet ndryshe nga ajo që shihni. Zlatani i vërtetë është introvert dhe i rezervuar kur jemi mes shokësh. Ndoshta i zbulova sekretin, por ka një zemër të madhe dhe më bëhet shumë qejfi që po tregon se bën diferencën edhe 40 vjeç. Është një vlerë e shtuar e Milanit.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania