Panorama Sport (Albania)

Leksion edhe Erzenit, Tirana perfekte në fillimin e sezonit

-

Pas suksesit në Kupën e Federatës në volejboll për meshkuj, Tirana vijon shkëlqimin edhe në Superligë. Bardheblut­ë po bindin me lojëra dhe rezultate, ndërsa dje regjistrua­n fitoren e dytë në kampionat duke mposhtur në transfertë Erzenin me rezultatin e pastër 3-0. Trajneri Arben Sako rikthehet si kundërshta­r duke e likuiduar ish-skuadrën e tij për 1 orë e 25 minuta, për të dalë me tri pikë nga pallati i sportit "Dhimitraq Goga". Me përforcime në merkato dhe më në fund pas shumë vitesh bardheblut­ë futen në kampionat të mbështetur nga sponsorët, gjë që po jep menjëherë frytet, pasi starti i sezonit për Tiranën deri më tani është perfekt. Duke u kthyer te ndeshja e djeshme, Tirana u shfaq më lart se Erzeni në të gjithë komponentë­t e lojës, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Megjithatë, takimi nuk ishte pa rivalitet, pasi shijakasit treguan grintën e zakonshme edhe pse nuk kanë më kualitetin e viteve të kaluara duke parë edhe largimet. Në setin e parë Tirana fitoi në shifrat 25-21. Në fraksionin e dytë të lojës lufta në parket ishte edhe më e fortë, por ishin sërish bardheblut­ë që u shfaqën më lart duke fituar 25-23. Ndërsa në setin e tretë Erzeni ngriti "flamurin e bardhë" me Tiranën që fitoi më thellë 25-18 dhe hipotekoi suksesin 3-0. Duke kaluar te paraqitjet individual­e, lojtari i ndeshjes ishte pa diskutim Ledion Martiro, i cili ishte i pandalshëm në sulm duke koleksionu­ar plot 18 pikë në këtë përballje. Shkëlqeu, gjithashtu, edhe Norgen Baruti, i cili ishte në një ditë të mirë në rikthimin si ish kundër Erzenit. Në radhët e shijakasve më i miri ishte Asmend Kula, por që nuk pati mbështetje­n e duhur nga pjesa tjetër e ekipit. Java e tretë e Superligës do të vijojë sot me dy sfidat e radhës Teuta-skënderbeu (13:00) dhe Farka-elbasani (18:00). Ndërkohë, ndeshja mes dy skuadrave 15 herë kampione të Shqipërisë, Partizani-studenti është shtyrë për shkak se në radhët e studentorë­ve disa ditë më parë kanë rezultuar 5 lojtarë me COVID.

 ?? ?? FOTO: F. HAZISLLARI
FOTO: F. HAZISLLARI

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania