Panorama Sport (Albania)

Spektakël në Angli, ‘Boxing Day’ nuk zhgënjen

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Me Liverpul-lids, Uolves-uotford dhe Bërnlej-everton të shtyra prej COVID, "Boxing Day"-t të parë të cunguar nuk i mungon spektakli dhe rekordet. Siti dhe Arsenali e festojnë Krishtlind­jen në fushë me një goleadë. Nuk falin asgjë as Totenhemi dhe Çelsi.

SITI - Në "Etihad", Siti regjistron fitoren e nëntë radhazi në kampionat dhe nuk është diçka e re. Por kampionët rrezikojnë shumë pavarësish­t rezultatit 6-3 kundër Lestërit. Pjesën e parë e mbyllin në avantazh të 4 golave, duke shënuar që në minutën e pestë me De Bryjnen, ish-in Mahrez me penallti, Gyndoanin dhe Sterlingun sërish nga pika e bardhë. Por në pjesën e dytë fiken dhe në harkun e 10 minutave "Dhelprat" shënojnë tri herë: festojnë ish-i Iheanaço, autori i një goli dhe dy asisteve për Medisonin dhe Lukmanin. Por mendojnë Laport dhe Sterling për të larguar çdo frikë. Siti blindon kreun dhe vendos një rekord: kjo është ndeshja e parë në historinë e Premier Ligës që prodhon 9 gola. Për herë të fundit, kaq gola ishin shënuar në Olldhem-junajtid (3-6) në 1991.

ARSENALI - Gjithçka e thjeshtë për "Topçinjtë" kundër skuadrës së fundit në klasifikim, Noruiçit. Pesë fitore radhazi për skuadrën e Artetës dhe 19 gola të shënuar që kur ai ka përjashtua­r nga skuadra ishkapiten­in Obamejang. Protagonis­t në triumfin 5-0 në "Carrow Road" është Bukajo Saka, i cili shënon dy herë, në 6' dhe 67' me dy goditje identike bilardo. Mes tyre ka vend për golat e Tirnejt, "pokerin" e Lakazet me penallti dhe vulosi Rou në shtesë. Londinezët blindojnë vendin e katërt, por lajmi i keq është virusi që infektoi tre lojtarë të tjerë përpara ndeshjes: Tomijasu, Soarez dhe Najls iu bashkuan Çembërsit të infektuar, duke e lënë Artetën pa asnjë mbrojtës të djathtë.

TOTENHEMI - Katër fitore, 2 barazime: Antonio Konte mbetet i pamposhtur në Premier Ligë në stolin e "Spërsave", që vazhdon ngjitjen drejt zonës Champions. Derbi londinez, ku në stolin e Palasit mungonte trajneri Patrik Vieira i infektuar, u vulos që në pjesën e parë falë dyshes Kejn-moura. Dhe Son shënoi edhe golin e tretë në pjesën e dytë. Goli i Kejnit barazoi rekordin e Faulerit, si lojtari që ka shënuar më shumë në historinë e Premier Ligës në "Boxing Day" (9 gola).

ÇELSI - Një fitore me aromën e ish-lojtarëve të Serisë A. Çelsi mposht 3-1 Aston Vilën, pa trajnerin Stiven Xherrard në stol pas infektimit me COVID dhe Tomas Tuhel rikthehet te fitorja pas dy barazimeve radhazi në kampionat. Blutë ngjiten për momentin në vend të dytë, bashkë me Liverpulin, por ndeshja e "Reds"-ave kundër Lidsit u shty. Vendos një dopietë e Zhorzhinjo­s me penallti dhe një gol i bukur i Lukakut me kokë, të cilët përmbysën autogolin e Xhejmsit. Mançester Sitit mbetet 6 pikë larg.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania