Panorama Sport (Albania)

Mbledhje me drejtorin Rama, fëmijët e Tiranës “prishin” mbledhjen

-

Në orën 15:00 Partizani nisi stërvitjen e parë pa Ilir Dajën. Lojtarët kishin ardhur më herët, por gjithçka nisi në orarin e paracaktua­r. Në krye të ekipit, në mungesë të trajnerit Daja, ishte Renaldo Kalari, i cili ka shërbyer si zëvendëstr­ajner gjatë kohës kur Daja ishte në krye. Gjithsesi, para se të niste gjithçka, drejtori i përgjithsh­ëm, Olsi Rama ka zhvilluar një mbledhje të shkurtër me lojtarët e pranishëm në stërvitje dhe pjesëtarët e stafit. Pasi biseduan për disa çaste, drejtori e la fushën e stërvitjes dhe kaloi në minitribun­ën e fushës, ku ndoqi nga aty gjithë stërvitjen dhe herë pas here kritikoi edhe ndonjë lëvizje të lojtarëve në fushë. Ajo çka ishte më interesant­e dhe mori edhe vëmendjen e drejtorit ishin thirrjet e disa fëmijëve, të cilët stërviten në të njëjtin kompleks. Ata ndodheshin në kafenenë sipër fushës dhe të gjithë së bashku thërrisnin: “Tirona, Tirona”. Kjo ngjalli padyshim ilaritet në kompleks dhe u shoqërua me një të qeshur edhe nga Olsi Rama, i cili e mori me mjaft sportivite­t situatën. Për t’u kthyer te stërvitja, duhet të themi se në seancën e djeshme mungonin pjesa më e madhe e skuadrës. Lojtarë si Hoxha, Sembene, Herald Marku, Zhunior, Kaçe apo Musta nuk ishin pjesë e ekipit në stërvitjen e djeshme, teksa pritet të mësohet nëse do të jenë nën urdhrat e Kalarit sot. Ky i fundit u përqendrua kryesisht në anën fizike të ekipit, me qëllim mbajtjen në formë të lojtarëve, të cilët do të duhet të presin gjysmën e janarit për të luajtur ndeshje zyrtare. Në fund Kalari organizoi edhe një minindeshj­e, ku kishte momente mjaft interesant­e me të rinjtë, që u munduan vazhdimish­t të bëhen protagonis­të, pasi mungesa e shumicës së senatorëve të ekipit ia krijonte këtë mundësi. Stërvitja zgjati rreth 1 orë e 20 minuta.

 ?? ?? Moment nga mbledhja në stërvitjen e djeshme
Moment nga mbledhja në stërvitjen e djeshme

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania