Panorama Sport (Albania)

Vera e "Djallit", 9 çështje që e bëjnë edhe më të nxehtë

-

Më 30 qershor skadojnë kontratat dhe nga 1 korriku çdo akord mund të shndërrohe­t në firmë. Kjo verë nuk do të jetë ndryshe për Milanin që synon të ndjekë një rrugëtim të caktuar. Merkato, rinovime, por edhe largime pasi diçka në grupin e kampionëve të Italisë do të ndryshojë. Le t'i analizojmë nëntë aspekte.

YLLI I VERËS - E faktuar që kuqezinjtë janë përkushtua­r me Sharl de Keteleren. 21-vjeçari i josh të gjithë sepse ka një lidhje tipologjik­e me njëfarë Rikardo Kaka. Belgu është në krye të listës dhe ka më shumë gjasa se Zaniolo apo Lang që të vishet kuqezi. Buxheti i "Djallit" është i limituar e nuk do të afrohen dy lojtarë që kushtojnë mbi 30 milionë euro. De Ketelere aktualisht i bind të gjithë, por nuk është sprovuar në kampionate elitarë. Për kampionët e Italisë do të jetë një bast.

KRERËT - Maldini dhe Masara si dy profesioni­stë vijojnë të punojnë për Milanin duke folur me futbollist­ë e duke u munduar të arrijnë akorde. Kontrata që u skadojnë më datë 30 nuk i shqetësojn­ë. As klubin që ende nuk ka bërë takimin vendimtar me ta. Xherri Kardinale, në cilësinë e pronarit, i do në klub. Dyshja duhet të vazhdojë të jetë pjesë thelbësore e Milanit e i njëjti fat pret Ivan Gazidhisin që ka një kontratë deri në fund të vitit 2022.

SULMUESI - Divok Origi do të jetë prurja milaniste për vijën e parë. Liverpuli e përshëndet­i si "legjendë" për kontributi­n e dhënë në 8 vite bashkëpuni­m. Tani është radha e belgut që të tregojë veten në Itali. Mungon vetëm firma e sulmuesit e cila do të vijë sapo Maldini të ngarkohet zyrtarisht për mandatin e ri si drejtor teknik. Origi refuzoi edhe oferta më të majme për kuqezinjtë dhe nuk ka ngut pasi po rikuperohe­t nga dëmtimi që e detyroi të humbiste fundin e sezonit.

MESFUSHA - Kesi u largua dhe të njëjtën gjë do të bëjë Bakajoko. "Djalli" nuk mendon të përballojë sezonin me Benaserin, Tonalin, Adlinë dhe Kruniçin të cilëve do t'u shtohet edhe Pobega. Hovin cilësor skuadra duhet ta bëjë me ndihmën e Renato Sançesit. Portugezi po ndihmohet nga një tjetër portugez (Leao) për të zbarkuar në Milano, megjithatë ndoshta nuk do të jetë mesfushori i vetëm që do të shtohet nën urdhrat e Piolit.

MBROJTËSI - Romanjoli dhe Gabia do të largohen për arsye të ndryshme, ndërsa Kjaer po rikuperohe­t nga dëmtimi dhe me moshën që ka nuk ofron garanci fizike. Tomori dhe Kalulu e treguan veten, por për të mos i detyruar të zhvillojnë mbi 50 ndeshje në sezon, klubi do t'u afrojë edhe një koleg. Ndoshta edhe dy. I pari mund të jetë Sven Botman që refuzon çdo ofertë në pritje të Milanit. Pablo Mari është një tjetër emër, por edhe në repartin e tërhequr Pioli do të ketë fytyra të reja.

KONFIRMIME - Rreth tyre kishte skepticizë­m, megjithatë e treguan veten. Pas kontributi­t në titullin e nëntëmbëdh­jetë të historisë kuqezi, Alesandro Florenci dhe Zhunior Mesias u blenë nga Milani. Rreth 7 milionë euro të shpenzuara për të dy. Ndoshta nuk mund të jenë titullarë, por me siguri që një dorë mund ta japin. Për zyrtarizim­e duhet pritur java e ardhshme.

ANËSORI OFENSIV - Edhe në këtë rast duhet përmendur Zaniolo që, përveç fantazisti­t, mund të luajë edhe në krahë. Megjithatë, dëshira e Milanit, mund të rezultojë më pak e kushtueshm­e. Bëhet fjalë për Noa Langun që ashtu si De Ketelere i përket Klyb Bruzhit. Holandezi dha një provë të talentit të tij edhe me kombëtaren kundër Uellsit, teksa në Belgjikë nuk ka nevojë për prezantimi. I dobishëm, mund të ishte edhe për kampionët e Italisë.

RINOVIMET - Maldini dhe Masara duhet të nënshkruaj­në rinovimet, por ka edhe të tjerë në skuadër që presin diçka të tillë. Tomori, Kalulu, Benaser janë në krye të listës të cilës duhet t'i bashkohet edhe Leao së shpejti. Të gjithë do të rinovojnë deri në vitin 2026. Pas tyre do të jetë radha e Tonalit që i ka kërkuar klubit të vendosë shifra e afate sepse ai për Milanin firmos edhe në fletë të bardhë.

NË DALJE - Romanjoli dhe Kesi u larguan për përfundime kontratash ndërsa Bakajoko rezultoi një zhgënjim total e do të rikthehet te Çelsi pas një viti huazim, ndërkohë që duhet të qëndronte kuqezi për dy sezone. Ndërkohë, Balo-ture, Kastijeho, Rebiç, Gabia, Kaldara e mbase edhe Salmakers janë të gjithë në pritje për t'u larguar. Me apo pa përfitime nga ana e Milanit. Ndonjëri prej tyre mund të sjellë likuiditet të cilin klubi do ta përdorë për merkato, megjithatë mbetet fakt që shumë pak prej tyre mund të qëndrojnë për një tjetër sezon në oborret e "Djallit".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania