Di Maria premton të kthejë përgjigje brenda javës, Pogba “festë” në Guine para Juves
Kjo do të jetë java decizive për Juventusin, lidhur me dy objektivat më të rëndësishëm të merkatos, por derisa përgjigjet përfundimtare apo firmat në kontratë të vijnë, asgjë nuk është e qetë në Torino. Por ndërsa drejtuesit vazhdojnë të punojnë dhe të provojnë që të shpejtojnë bisedimet, sërish ka gjëra që shtyjnë marrëveshjet mes palëve. Edhe dita e djeshme e tillë ka qenë, ndonëse në rastin e Angel di Marias të paktën është bërë një hap konkret dhe i fundit, për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me argjentinasin. Pas disa shtyrjeve të ultimatumeve nga ana e “Zonjës së Vjetër” dhe vetë futbollistit, dje menaxherët e tij kanë kontaktuar me klubin bardhezi dhe i kanë premtuar drejtorit sportiv, Federiko Kerubini, se brenda kësaj jave do të vijë edhe përgjigjja definitive e klientit të tyre. Më shumë sesa për drejtuesit, 34-vjeçari që u largua nga PSG-JA me parametër zero është një dëshirë personale dhe e domosdoshme e trajnerit Masimiliano Alegri për sezonin e ardhshëm, prandaj durimi që po tregohet ndaj Di Marias në këtë rast është kaq i madh. Nga ana tjetër Pol Pogba vazhdon që të shëtisë botën në këtë periudhë pushimesh, përpara se të zbarkojë në Torino, siç po nënvizohet çdo ditë e më shumë. Pas Majemit dhe plazheve marramendëse amerikane, mesfushori francez ka vendosur që të rikthehet aty ku gjaku i tij i ka rrënjët. 29-vjeçari dje ka bërë vizitë në Guine, në Konakri, andej nga është origjina, vendlindja e prindërve të tij. Edhe pse ai vetë ka lindur në Francë, Pogba është shumë i lidhur me këtë vend, kur kujtojmë se ka organizuar disa ndeshje bamirësie për të ndihmuar popullsinë e qytetit të Konakrit. Dhe pikërisht nga fotot që vetë futbollisti kishte hedhur në “Instagram” dallohet qartë edhe dashamirësia e popullsisë vendase për Polin. I ngjitur mbi fuoristradë dhe i rrethuar nga forca ushtarake, Pogba diti se si të mbledhë turmën që e shoqëronte me këmbë e me motorë, për të përshëndetur atë që shpresohet dhe duhet të jetë mesfushori dhe lideri i ri i mesfushës së Juventusit.