Panorama Sport (Albania)

“Ishin ekip shumë i dobët, por presidenti Bardhi nuk na dëgjoi”

Çeço: Dinamo nuk u ndez kurrë, ja pse kishte probleme të theksuara

-

Iljaz Çeço nuk mund të rrinte pa komentuar edhe rënien e Dinamos. Ai tregon edhe për takimin që ka pasur me presidenti­n e bluve, Ardian Bardhi, në fillimin e sezonit 2021-2022. “I gënjeu fitorja e parë në kampionat, por ajo Dinamo nga ana taktike dhe në gjërat më të thjeshta të futbollit ishte shumë e dobët. Kishte lojtarë që nuk dinin të dublonin dhe pësonin nga gjashtë gola. Derisa nuk ke mbrojtje, të paktën taktikisht duhet të ndryshosh, por as kjo nuk ndodhi. Nuk dinin as të qëndronin të mbyllur në mbrojtje për të marrë ndonjë pikë. Dinamo nuk kishte një bosht. Gjithmonë ka pasur mesfushorë dhe sulmuese të mirë, sidomos teknikisht. Lojën më të bukur në Shqipëri e ka bërë Dinamo. Futbolli modern erdhi në klubin tonë, sepse kemi pasur lojtarë të mëdhenj. Presidenti­t të Dinamos, Bardhi, ia kam thënë që në fillim: ‘Nuk ke skuadër’. Na ftoi para se të niste kampionati dhe vërejtjet që kisha ia thashë, duke filluar nga ndryshimi i stemës. Germa D që ka Dinamo në fanellë historikis­ht u zvogëlua. Të paktën, mirë që ekipi ishte i dobët, por nëse ajo germë është në fanellë e dukshme dhe e madhe, të paktën fiton disi psikologji­kisht. Sugjerimet tona për presidenti­n nuk u morën parasysh. I kërkuam të formonte një kryesi me ishlojtarë­t dhe të jepnim mendimet tona. Duke pasur një mendim ndryshe, gjërat bëhen edhe më mirë. Kërkesat që bëmë si ish-futbollist­ë që e ndiejmë këtë fanellë, me synimin e vetëm për t’i ardhur në ndihmë klubit, nuk na u morën parasysh. Isha i gatshëm t’i jepja të gjithë dokumentac­ionin presidenti­t që nga krijimi i klubit, pasi e kam unë në shtëpi, duke qenë se në vitet 1981-1987 kam qenë drejtues. Të gjithë dinamovitë­t ishin të gatshëm dhe masat duheshin marrë sa më shpejt. Me atë ekip që kishte Dinamo, duhet të bënte stërvitjen më të thjeshtë. Kishte probleme të theksuara, qoftë në markime dhe dublime. Në goditjet standarde ishte shumë dobët. Nuk e prisja që do të binin nga Superiorja. Kur ekipi nuk ka përgatitje fizike, e merr gradualish­t gjatë kampionati­t. Mirëpo, e tmerrshme ishte që Dinamo nuk u ndez asnjëherë gjithë sezonin”, deklaroi Çeço për “Panorama Sport”. Ish-mesfushori ka fituar gjithçka me fanellën e bluve në vitet ‘60‘70, duke qenë ndër lojtarët më të mirë.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania