Panorama Sport (Albania)

“Ende herët për titullin, Roma e Murinjos i ngjason Juves”

-

“Titulli kampion? Në dhomat e zhveshjes nuk flasim, sepse ka ende shumë takime dhe duhet ta kultivojmë këtë objektiv ndeshje pas ndeshjeje. Jemi vetëm në gjysmë të rrugës dhe deri te festa historia është ende shumë e gjatë”. Napoli vrapon dhe pas fazës së parë ka vendosur një hendek fantastik me pjesën tjetër të kampionati­t, +12 pikë, duke goditur shumë fort rivalet e tjera për titull. Gjithsesi, në shtëpinë e të kaltërve janë shumë besëtytnik­ë dhe nuk duan që të festojnë përpara kohe. Diçka të tillë e konfirmon edhe ish-mbrojtësi i Partizanit, kosovari dhe titullari i Napolit, Amir Rrahmani, përpara supersfidë­s së radhës me Romën. “Si ndihesh kur je 12 pikë përpara të tjerave? Krenar, pasi është një sinjal i cili do të thotë se po ecim shumë mirë, por jemi vetëm në gjysmë të rrugës dhe shpresojmë që të kemi të njëjtin ritëm edhe në fazën e dytë. Edhe trajneri Spaleti na e kujton shpesh këtë gjë. Ai na kërkon që të qëndrojmë të qetë, pasi jemi ende shpejt, ndonëse gjithçka kemi arritur deri tani e kemi merituar në fushë”. Pas rënies së papritur të Juventusit, madje me Napolin që i shkaktoi 5 gola, përpara se të pësonte edhe 3 të tjerë ndaj Atalantës, të kaltrit janë edhe mbrojtja më e mirë e Serisë A, me Rrahmanin që kompliment­on të gjithë skuadrën: “Nëse pësojmë pak dhe shënojmë shumë është meritë e të gjithëve, pasi në fushë shkojmë 11 veta. Gjithsesi, për ne mbrojtësit është shumë më e lehtë nëse sulmuesit tanë zhbllokojn­ë shpejt ndeshjet, prandaj duhet të vazhdojmë kështu. Madje, sulmi është fenomenal, duke qenë se në 19 takime nuk kemi realizuar vetëm ndaj Fiorentinë­s e Interit dhe nuk është diçka e vogël. Kryesimi meritë e kujt? Më të madhen e ka Spaleti, i cili ka një filozofi loje të cilën ne po e ndjekim me përpikëri, por le të fokusohemi te ndeshja e radhës. Romas? Kanë dy sulmues shumë të fortë si Dibala e Abraham dhe një trajner shumë të zgjuar si Murinjo. Gjithsesi, ata luajnë pak a shumë si Juventusi, në kundërsulm. Janë gati që të presin gjithë lojën me shpresën për të të goditur në momentin e duhur, por ne do të jemi gati. Nëse ia lejojmë që ta prekin sa më pak që të jetë e mundur topin, fitorja do të jetë e jona”, deklaroi Amir Rrahmani.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania