Bylisi, një brazilian “blindon” sulmin
Bylisi e ka mbyllur merkaton e janarit me një goditje në repartin e sulmit, aty ku skuadra ka pasur jo pak probleme në pjesën e parë të kampionatit. Zhoalison Santos është afrimi në limitin e mbylljes së transferimeve të ballshiotëve. Bëhet fjalë për një 31-vjeçar brazilian me shumë eksperiencë në Europë, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës kazakistanase, Turan, ku në tetë ndeshje në muajt tetor-dhjetor, shënoi një gol. Santos e ka nisur karrierën në Brazil me Rio Preto, ndërsa më pas është transferuar në Portugali te Tondela.
Sulmuesi që luan në të dyja krahët ka qenë edhe pjesë e ekipeve moldave si Zimbru Kishinjev dhe Sherif Tiraspol. Në Rumani ka luajtur me Politehnika Iasi, ndërsa në Letoni për Ventspils. Në vitet e fundit është aktivizuar në kampionatin rumun me skuadra si Hermanshtad dhe Vitorul. Eksperienca e tij bindi drejtuesit e Bylisit për t’i ofruar një kontratë, me besimin që braziliani do të bëjë diferencën në Ballsh. Burime në klub tregojnë se në orët e fundit të merkatos, presidenca ka tentuar të bëjë edhe një tjetër afrim në sulm, por zyrtarisht nuk ka konfirmime për emrin e lojtarit që mund të afrohet. DËNIMI - Bylisi është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e kthimit ndaj Vllaznisë për turin e dytë, që do të luhet nesër në Shkodër. Ndërkohë, dje Komisioni i Disiplinës mori vendim për trajnerin Naxhi Shensoji, i cili u ndëshkua me të kuq në ndeshjen e fundit me Kastriotin. “Zyrtari i KF Bylis, për proteste ndaj vendimeve të arbitrit, dënohet me pezullim nga aktiviteti për 2 ndeshje”, citohej dje ndër të tjera për vendimin ndaj trajnerit të Bylisit.