“Poker” i Realit, tani për të tetën
Për të pestën herë radhazi, “Los Blancos” arrijnë në finalen e Botërorit të Klubeve Dy skuadrat mbajnë një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi
Reali i Madridit ësh të finalisti i dytë në Botërorin e Klubeve, teksa ka mundur në gjysmëfinale Al-ahlin e Egjiptit me shifrat 1-4. Për egjiptianët nuk ka mrekulli të dytë, pas asaj të vitit 2001. Kur punët bëhen serioze në fushë, Reali nuk di të bëjë bamirësi. Kështu ka ndodhur edhe në Rabat (Marok). Ndonëse nuk ka qenë Reali më i mirë në fushë, përsëri kampionët e Europës kanë bërë diferencën. Në mungesë të Benzemasë, ka qenë Vinicius që ka marrë skuadrën për dore. Braziliani ka shënuar golin e tij të 50-të me fanellën e Realit, teksa në tabelë kanë shënuar emrin e tyre edhe dy sulmuesit e tjerë të deklaruar të Ançelotit në këtë takim, Valverde dhe Rodrigo, teksa Serxho Arriba i ka vënë kapakun ndeshjes. Al-ahli ka provuar të trembë Realin dhe e ka bërë mirë deri kur Rodrigo ka shënuar të tretin për Realin. Ndërkohë që për kampionët e Europës, Modriç kishte shpërdoruar edhe një penallti.
NDESHJA - Takimi në Rabat ka nisur me një minutë heshtje në nderim të mijërave viktimave nga tërmeti që goditi pak ditë më parë Turqinë. Më tej fjalën e kanë pasur protagonistët. Pjesa e parë në Rabat është mbyllur me epërsinë e Realit të Madridit, që ka shfrytëzuar një dhuratë të egjiptianëve. Metuali i ka dhuruar një asist Viniciusit dhe braziliani nuk ka falur i vetëm përballë portierit të Al-ahlit. Në fakt, Madridi ka pasur edhe të tjera raste për shënim, pikërisht nga këmbët e Viniciusit dhe Rodrigos, por nga njëra anë pasaktësia e Vinit dhe shtylla e Rodrigos i kanë mohuar gola të tjerë Realit. Reali ka provuar të mbyllë takimin, teksa vetëm dy minuta nga pjesa e dytë Valverde ka dyfishuar shifrat. Gjithçka është dukur e qetë dhe nën kontrollin e plotë të skuadrës së Ançelotit. Por një gafë e Kamavigës ka kthyer në lojë egjiptianët. Francezi ka shkaktuar një penallti të kthyer në gol nga Malul. Al-ahli merr zemër dhe beson te barazimi. Skuadra e Koler krijon dhe mundësi për të barazuar, por në fund dorëzohet, me Rodrigon
dhe Serxho Arribën që në kohën shtesë shënojnë dy gola të tjerë për Madridin, që pret biletën për në finalen e së shtunës përballë sauditëve të Al-hilal. Finalja e dhjetë për “Los Blancos” që do të kërkojnë kurorën e tetë si askush tjetër.