Panorama Sport (Albania)

Ndreka: Lojtarët sot flokët me xhel, ne kishim sedër e shpirt

- DENIS LALA

Partizani dështoi edhe një herë të fitonte Kupën e Shqipërisë. Për të gjetur herën e fundit kur të kuqtë janë shpallur fitues të këtij kompeticio ni duhet të kthehemi shumë kohë pas, plot 19 vite, në sezonin 2003-2004. Në atë edicion të kuqtë shkonin në finale dhe fitonin me rrjetën e Henri Ndrekës. Gjiganti i qendrës së mbrojtjes shënonte golin e vetëm të asaj finaleje dhe prej asaj dite mbetet shënuesi i fundit i Partizanit në një finale Kupe. Të kuqtë nuk e kanë prekur më kurrë finalen nga atëherë. Nisur nga kjo, "Panorama Sport" vendosi ta kontaktont­e Ndrekën, i cili prej më shumë se dy vitesh e ka mbyllur me futbollin dhe është mënjanuar nga skena e këtij sporti në vendin tonë. Kërkesës për të folur për Partizanin, Ndreka iu përgjigj plot ndjenjë: "Më thuaj, se unë fanellën e Partizanit e kam të veshur në trup si kanotierën, që e veshin njerëzit përditë. Aty jam rritur dhe jam bërë futbollist". Në rrëfimin e tij, 39-vjeçari kthehet pas në kohë dhe kujton golin e shënuar, teksa nuk heziton të kritikojë futbollist­ët e sotëm, që sipas tij, nuk mendojnë shumë për futbollin dhe nuk kanë sedrën e dikurshme.

A e ndiqni Superioren? Si ju duket Partizani?

E kam ndjekur kampionati­n shqiptar me sa kam pasur mundësi. Partizani është në garë tërësisht për titullin dhe do të dëshiroja shumë që të dalë kampion.

Mendoni se mund t'ia dalin?

Po, i kanë të gjithë elementët e duhur për të dalë kampionë. Me korrektësi dhe me punë arrihet çdo gjë.

U eliminuan sërish në Kupë nga Vllaznia. Përse vuajnë kaq shumë ndaj shkodranëv­e?

Të jem i sinqertë nuk arrita ta shoh dot si ndeshje ngaqë ndodhem edhe larg, por nuk duhet të harrojmë se edhe Vllaznia është djepi i futbollit shqiptar. Kompeticio­ne si Kupa dhe Superkupa bëhen të bukura kur ka shumë ekipe cilësore. Shpresojmë që edhe futbolli në Shqipëri të shkojë në nivelet profesioni­ste europiane.

Ju jeni shënuesi i fundit në një finale të Kupës për Partizanin. E mbani mend atë gol, që ju dha trofeun përballë Dinamos?

Sigurisht që e mbaj mend. Ka krosuar Muzaka, unë i kam shpëtuar markimit të kundërshta­rit dhe kam realizuar një gol me këmbë, pa rënë topi në këmbë. Partizani në kohën time vetëm festa ka pasur. Është ekipi im i zemrës dhe kam kujtime të bukura me atë fanellë.

Por pas fitores suaj, ata nuk e kanë fituar më Kupën. Përse nuk e ruajtën vazhdimësi­në?

Që një ekip të ecë përpara dhe të fitojë kompeticio­ne, nuk duhet që të ndërrojë trajnerin çdo vit. Duhet krijuar një bazë, me lojtarë që bëhen

shtylla të ekipit për 3-4 katër vite. Nuk duhet të ketë më kontrata 1-vjeçare apo lëvizje kaq të shpeshta lojtarësh.

Si ju duket ky Partizan në krahasim me atë të kohës kur luanit ju?

Më vjen keq ta them, por është si nata me ditën. Tani janë lojtarë që luajnë me flokët me xhel. Në kohën time mendonim më së shumti për futbollin. Kishte lojtarë me sedër dhe mezi prisnim të na jepej mundësia për të dhënë shpirtin në fushë. Shumë djem të rinj që në atë kohë luanim në Kategorinë Superiore, kemi luajtur edhe jashtë vendit,

kurse tani çdo ditë e më shumë po ulet numri i futbollist­ëve që dalin nga Shqipëria dhe bëhen të rëndësishë­m në ekipe në Europë. Nëse fiton provën dhe transferoh­esh jashtë je në rrugën e duhur. Po qëndrove në Shqipëri, je futbollist amator.

Ju keni qenë pjesë e Partizanit të Albert Xhanit. Ruani ende kontakte me ishpreside­ntin?

Po, kam ende kontakte me të. Është një president, që duhet kujtuar dhe për sa ka dhënë. Për Partizanin, këtë emër të madh, ai ka shpenzuar paratë e shtëpisë së vet.

Ku ndryshon Partizani i Xhanit në krahasim me këtë të Demit?

Albert Xhani ka qenë i vetëm, kurse Demi tashmë ka mbështetje në çdo hallkë të klubit. Çdo profesion kërkon njerëzit e duhur. Unë nuk mund të bëhem gazetar si ju, ashtu si ju nuk mund të bëheni trajner.

Na e kujtoni dot momentin tuaj më të bukur me Partizanin?

Kam shumë momente të bukura me Partizanin tim, sepse thuajse në çdo vit kemi luajtur në Europë.

Na e veçoni dot një?

Mund të kujtoj emocionet e mëdha që të jepte stadiumi "Qemal Stafa" kur mbushej plot e përplot. Në atë kohë njerëzit qanin për futbollin. Në tribuna derdheshin edhe lot. Kur kishte ndeshje të mëdha në të gjithë Tiranën pllakoste qetësia dhe dëgjoheshi­n vetëm brohorimat e tifozëve në stadium.

Na e thoni dot sulmuesin që ju ka vënë më së shumti në vështirësi në ato vite kur luanit me Partizanin?

Mund të veçoj Indrit Fortuzin. Ishte tejet i shpejtë dhe shumë i zhdërvjell­ët me topin në këmbë.

 ?? ?? Henri Ndreka gjatë një ndeshjeje mes Partizanit dhe Shkumbinit, ku i merr kartonin gjyqtarit Janku dhe ia tregon Ardit Beqirit
Henri Ndreka gjatë një ndeshjeje mes Partizanit dhe Shkumbinit, ku i merr kartonin gjyqtarit Janku dhe ia tregon Ardit Beqirit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania