Besëlidhja ndal Skënderbeun
Korçarët harrojnë të shënojnë. Mbeten të parët, por nuk e kapin shansin për arratinë
Lezhjanët rezistojnë përballë kryesuesve dhe marrin një pikë që nuk u shërben për asgjë
Skënderbeu nuk e kap shansin, ndalet në Lezhë. Barazon 0-0 me Besëlidhjen dhe humbet mundësinë për të marrë arratinë. Ndonëse vazhdojnë të jenë të parët, sot mund t’i afrohet Flamurtari ose Dinamo. Lezhjanët rezistuan përballë kryesuesve në stadiumin e tyre, ndonëse morën një pikë që nuk u shërben për asgjë. Skuadra e Alert Alcanit është e fundit në tabelë, duke rrezikuar seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë.
PJESA E PARË - Loja nis me miqtë në sulm, por Lika vetëm sa vendos në provë reflekset e Kodrës. Përgjigjja e Besëlidhjes nuk vonon, ndonëse Nunes nuk e çan dot mbrojtjen korçare. Loja spostohet në mesfushë pas këtyre episodeve dhe dukshëm të dyja skuadrat tregohen të kujdesshme. Në minutën e 16-të Lika kërkon avantazhin me një goditje dënimi, por shënjestra është e gabuar. Mbrojtja vendëse është e mbivendosur dhe bllokon çdo tentativë të kryesuesve. Pjesa e parë nuk ofron më thuajse asgjë, përveç një gjuajtjeje të Nunes, që kalon ngjitur me pingulen e majtë të portës së Skënderbeut.
PJESA E DYTË - Fraksioni i dytë ka nisur me kontrollin e lezhjanëve. Nunes dhe
Artur kombinojnë mes tyre në të 48-ën, por finalizimi lë për të dëshiruar. Pas këtij sulmi, janë korçarët që i marrin “frenat”. Liço nis topin për te Lika, që gjuan sapo i afrohet zonës, por topi devijohet nga mbrojtësit në këndore. Skënderbeu kërkon me ngulm
avantazhin dhe në të 59-ën është Kodra që ia mohon, pas asaj gjuajtjeje me kokë të Temitope. Miqtë e duan vërtet një gol, por nuk harrojnë as detyrat në mbrojtje. Dhe në të 69-ën ajo ndërhyrje e Frashërit i shpëton, kur i heq nga këmbët topin D.markut.
Bardhekuqtë tentojnë me të gjitha format që të gjejnë rrjetën, por Temitope shpërdoron me kokë dhe Liço bllokohet nga portieri, pas asaj predhe nga 30 metra. Përpjekjet janë të dëshpëruara edhe në 6 minuta shtesë, pasi në fund gjithçka u mbyll “thatë”.