Red Bulli nuk njeh rivalë, Perez mund Vershtapenin
Alonso penalizohet, i lëshon vendin e tretë Xhorxh Rasëllit
F1/ Meksikani dominon Çmimin e Madh të Arabisë Saudite
Red Bull ka konfir muar se është përsëri makina dominuese e këtij sezoni të Formulës 1. Por ndryshe nga edicioni i kaluar, gara për titullin mes dy pilotëve të saj do të jetë shumë më e ndezur. Serxhio Perez fitoi dje Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, garën e dytë të sezonit, duke lënë pas krahëve kampionin Maks Vershtapen, i cili mban kryesimin e renditjes së Botërorit falë pikës ekstra për xhiron më të shpejtë. Nëse Perez, i nisur nga “pole position”, kryesoi nga starti e deri në finish, Vershtapen, i cili nisej nga vendi i 15-të, përfitoi nga një makinë sigurie pasi Lans Stroll ndali njëvendëshen e tij në pistë në xhirot e para të garës. Vershtapen i ngjiti një nga një vendet dhe në fundin e garës, ishte në ndjekje të shokut të skuadrës derisa u dorëzua duke preferuar që të kërkonte xhiron e shpejtë që i dha kryesimin e kampionatit, edhe pse skuadra e tij i kërkoi në radio që të mos e bënte një gjë të tillë. Podiumin e plotësoi Alonso me Aston Martin, por spanjolli, edhe pse mori pjesë në ceremoninë e çmimeve, u zbrit në vend të katërt, duke marrë 10 sekonda penalizim për shkak
se shleu një ndëshkim gjatë kohës kur në pistë ishte makina e sigurisë. Kështu, vendi i tretë më pas shkoi për pilotin e Mercedesit, Xhorxh Rasëll. Piloti tjetër i Mercedesit, Luis Hamilton, e përfundoi në vend të pestë. Tjetër zhgënjim për Ferrarin, që vazhdon me paraqitjet e dobëta në këtë start sezoni, teksa Karlos
Sainz u rendit në vend të gjashtë, ndërsa Sharl Lëklerk i shtati. Okon dhe Gasli me dy makinat Alpine, si dhe Magnusen me Has, plotësuan zonën e pikëve. Pas përfundimit të një supergare në Xhedah mundi kampionin në fuqi, Serxhio Perez u shfaq shumë i lumtur. “Ishte një garë tepër e fortë, më shumë
nga sa e prisja. Makina e sigurisë gati sa nuk më hoqi fitoren, por thashë ‘jo’. Ishte një sukses që e kërkoja që nga viti i kaluar. Skuadra ka bërë një punë super. Do të vazhdojmë që të shtyjmë në maksimum dhe unë do të jap gjithçka. Ishim më të fortit dhe më të shpejtit”, deklaroi pas garës meksikani i Red Bullit.